Bizneset shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit me Bullgarinë

17 Shkurt 2018 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me odat tjera të vendit, sot pritën në takim kryetarin e Republikës së Bullgarisë  z.Rumen Radev, i cili prej dje qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Maqedonisë me ftesë të kryetarit të shtetit të Maqedonisë z.Gjorge Ivanov.

Takimi sot u realizua me përfaqësues të të dy vendeve me pritje që në të ardhmen marrëdhëniet midis tyre të zhvillohen në mënyrë pragmatike në të gjitha fushat me interes të përbashkët.Sipas hulumtimeve të vitit të kaluar interesi për relacione biznesi dhe udhëtime biznesi mes Maqedonisë dhe Bullgarisë është rritur dyfish, kryesisht në sektorin bankar të sigurimit, metalurgjisë, veprimtarisë ushqimore, hulumtimeve gjeologjike, teknologjitë informative-komunikuese dhe hoteleri. Kjo ka të bëjë me marrëveshjen për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë që vitin e kaluar kanë nënshkruar të dy vendet.

Sipas të dhënave statistikore, kompanitë bullgare në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar kanë eksportuar mallra në vlerë prej 300 milionë euro në tregun e Maqedonisë, prej ku importi arrin 234 milionë euro. Të dhënat statistikore tregojnë se pjesa më e madhe e mallrave të cilat Bullgaria i eksporton në Maqedoni janë nga fusha e elektroenergjetikës.

Pjesëmarrësit në këtë takim ishin kategorik se tendencat e tanishme dhe rritja e këmbimit të mallrave midis Bullgarisë dhe Maqedonisë do të vazhdojë në vitet e ardhshme.