OEMVP: Duhet gjetur mënyra alternative për sigurimin e zbatimit të procesit zgjedhor pa e ndaluar dhe dëmtuar sektorin e biznesit

OEMVP ka reaguar në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë për shpalljen si ditë jo pune 24 Prill dhe 8 Maj për sektorin privat, duke e cilësuar atë si të dëmshme për operimin e pandërprerë të bizneseve, e sidomos bizneseve të cilat i përkasin sektorit të prodhimtarisë dhe tregtisë. Kompanitë private duhet të kenë mundësinë të operojnë sipas nevojave të tyre, ndërsa vendimi për ditë jo pune pa u konsultuar me komunitetin e biznesit, paraqet pengesë për funksionimin efikas të të njëjtëve.

Ky vendim, i marrë paraprakisht në Seancën e 14-të të Qeverisë më datë 09.04.2024 shkruan se Qeveria rekomandon që punëdhënësit nga sektori privat në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut t’i zbatojnë këto përfundime, por në seancën e 15-të merret vendim që ditët e zgjedhjeve të jenë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e RMV, përfshirë këtu edhe sektorin privat.

Andaj, OEMVP i bën thirrje qeverisë për rishqyrtimin e këtij vendimi dhe gjetjes së alternativave që do të jenë në mbështetje të komunitetit të biznesit, por njëkohësisht duke kuptuar rëndësinë e procesit zgjedhor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.