Thellimi i bashkëpunimit ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës popullore të Kinës: Perspektivat dhe mundësitë për investime të reja

25.04.2024, Shkup – Kryetari Qyra mirëpriti në takim Ambasadorin e Republikës popullore të Kinës shkëlqesinë e tij Zhang Zuo, Këshilltarin Ekonomik dhe Tregtar He Binghua, Sekretarin e tretë të Zyrës Ekonomike Che Shan dhe Zyrtarin e vizave Fang Hang. Z. Qyra theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe shprehi gatishmërinë për të përforcuar marrëdhëniet, duke i kushtuar rëndësi shkëmbimit tregtar dhe investimeve në sektorë specifike për fuqizimin ekonomik të dy vendeve.

Kryetari Qyra theksoi se edhe pse marrëdhëniet tregtare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kinës janë në një nivel të lartë, ka ende hapësirë për rritje dhe zgjerim, duke potencuar sektorin e ndërtimtarisë dhe tregtisë.

Gjithashtu, në takim u diskutua mundësia për investime kapitale në sektorin automobilistik, duke identifikuar se Maqedonia e Veriut ka një mungesë në këtë fushë, ndërsa Republika Popullore e Kinës e ka të zhvilluar atë në mënyrë të konsiderueshme.

Drejtori Ekzekutiv përmendi rritjen e efikasitetit të fuqisë punëtore si një nga pikat  strategjike ku  OEMVP ka vënë theks të veçantë dhe kërkoi nga mysafirët mundësi për shkëmbim të përvojave dhe ekspertizave midis punëtorëve, duke qenë se Kina ka normë shumë të lartë të efikasitetit. Ky shkëmbim paraqet një rëndësi të veçantë për të përmirësuar efikasitetin dhe produktivitetin në sektorë të veçantë të ekonomisë, duke i mundësuar  Maqedonisë së Veriut të përfitojë nga përvoja dhe praktikat e mira të zbatuara në RPK në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës.

Ambasada shprehi falënderim për përkrahjen dhe bashkëpunimin e Odës si një ndër institucionet më serioze dhe vizionare në vend. Të njëjtët i njoftuan nikoqirët mbi mundësitë për të ndërlidhur kompanitë e vendit tonë me kompanitë kineze dhe ofruan ndihmën e tyre të pa rezervë për asistim në organizim të ngjarjeve të përbashkëta.

Nënkryetarët  e OEMVP-së të cilët veçse kanë bashkëpunim me kompani nga Kina,  gjithashtu shprehën gatishmëri për të thelluar këtë bashkëpunim përmes iniciativave të reja për investime.

Roli i Odës në këtë kontekst është i rëndësishëm për të promovuar dhe përmirësuar klimën e biznesit në Maqedoninë e Veriut, për të kontribuar në përmirësimin e hapësirës së të bërit biznes, si dhe për të hapur dyert e bashkëpunimit me institucionet relevante në vend.