OEMVP dhe Drejtoria e Doganave diskutuan problemet e biznesit

27 Shkurt 2018 – Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore bashkë me përfaqësues të disa kompanive anëtare, sot realizoi takim me Gjoko Tanasoski, drejtor i Drejtorisë së Doganave të Republikës së Maqedonisë.

Gjatë takimit u diskutuan problemet aktuale që kanë kompanitë me procedurat e ndryshme doganore duke ndarë përvojat e tyre nga procesi i përditshëm i zhdoganimit të mallrave, adaptimin e çmimeve sipas tarifave të doganës e jo të mallit në faturë, lejet e ndryshme të importit dhe eksportit, kontrollet sanitare dhe mjekësore, problemet me sistemin ASICYDA e tjera.

Gjoko Tanasoski, drejtori i Drejtorisë së Doganave shprehu gatishmëri të përkrah të gjitha bizneset që të lehtësojë punën e tyre dhe të krijojë një mjedis të favorshëm për biznesin në drejtim të zhvillimit të vendit.

Ai njohtoi bizneset se Drejtoria e Doganave është duke forcuar kapacitetet administrative, teknike dhe operacionale në fushën e tranzitit të përbashkët me vendet e BE-së, ku synohet të arrihet përshtatja e legjislacionit dhe procedurave.

Të dy palët kanë shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për interesimin e organizimit të aktiviteteve të reja dhe të shkëmbimit të përvojave.