15 vite OEMVP, Hoxha: Kemi arritur të bëhemi shembull për institucionet tjera

Duke qenë se viti 2020 është viti jubilar i 15 vjetorit të themelimit të OEMVP-së, ne kemi realizuar intervista me kryetarët e saj që udhëhoqën institucionin në këto 15 vite ekzistim.
Intervista e rradhës realizohet me kryetarin aktual të OEMVP-së z.Nebi Hoxha.
Ju ftojmë të lexoni këtë intervistë.

  1. Çka ngjalli inspirimin për të kandiduar për Kryetar të OEMVP-së, dhe spjegoni rrethanat e periudhës së përzgjedhjes suaj?

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore që nga themelimi, në kontinuitet ka qenë sinonim i mbrojtjes së interesit të biznesit në vendin tonë. Të gjithë ne kemi luajtur një rol aktiv ose pasiv në periudha të ndryshme kohore, gjithsesi duke qenë vigjilent për nevojën e rendësisë së këtij institucioni, unë paraqita kandidaturën time për Kryetar të OEMVP-së.

Në karrierën time të mëparshme  kisha mundësi të ballafaqohem për së afërmi me vështirësit dhe lehtësirat e të bërit biznes jo vetëm në vend por edhe në rajonin e afërm dhe kjo më bën shumë konfident se do kem mundësi që çdo anëtari të OEMVP që ka nevoj ti ofroj ndihmën e duhur që ju takon.

Pasi magjistrova në fakultetin Elektrorteknik, unë ju ktheva biznesit familjar me  zanafillë nga viti 1965, ku si intelektual ngrita nivelin nga një zeje familjare në një biznes ndërkombetarë i shtrirë edhe jashtë vendit dhe në disa sektorë. Përveç aspektit profesional, në të kaluarën kam qenë aktiv në disa institucione dhe organizata të ndryshme: tetë vite përvojë në Esnafin e Çarshisë së Shkupit, shtatë vite përvojë në Kryesinë e Argjentarëve të Shkupit, pesë vite në Fondacionin  Shqiptar për Bursa, katër vite Kryetar i Asociacionit Ballkanit të Argjentarëve, katër vite anëtarë në Këshillin Drejtues të OEMVP-së, katër vite anëtar i Bordit të Universitetit të Europës Jug-Lindore, katër vite Kryetar i OEMVP-së dhe e fundit gati dy vite anëtar bordi i Forumit Ekonomik Mbarëkombëtar. Në jetën time asnjëherë nuk kam qenë pjesë e politikës dhe kjo më bën që gjërat t’i shoh nga një këndvështrim më objektiv dhe mbipartiak. Aspekti tjetër që më jep inspirim është edhe afërsia me njerëz të suksesshëm që me djersën e tyre krijojnë vlera dhe mirëqenie shoqërore

Unë besoj se kombinimi i aftësive, përvojës, njohurive dhe gjithëpërfëshirjes time në rajonin e Ballkanit e më gjërë, përshtaten me profilin  Kryetarit. E gjithë kjo përvojë  më jep të drejtë të plotë që të jem  një kandidat ideal për postin e kryetarit të OEMVP-së.  Prandaj rrethanat e përzgjedhjes sime për postin e Krytarit të OEMVP-së  në të dy mandatet ishin lehtësuese.

  1. Në çfarë stadi dhe rrethana morët udhëheqësinë e Odës, a ishte OEMVP atëkohë fuqishëm e etabluar në vend?

Ekonomitë e vogla, janë të eksponuara ndikimeve të jashtme dhe njëashtu  janë lehtë të thyeshme andaj, duhet të jemi të shpejtë në veprim dhe të adaptueshëm me qëllim që të ngelim në treg. Unë e shoh adaptimin si fuqi institucionale ku nga përvoja në postin e kryetrarit brenda katër viteve kam ngritur kapacitetin e OEMVP-së në çdo aspekt. Komunikimi i ndërsjelltë dhe bashkëpunimi në mes të anëtarëve të organeve udhëheqëse është në nivel të lartë dhe në mesin e tyre  fitoj një energji të paparë gjë që në të kaluarën mungonte. Hapësirat e OEMVP-së pas 13 vitesh operim u renovuan komplet dhe u krijua një ambient pozitiv për udhëheqësinë e Odës dhe ku stafi profesional me punën e palodhur, me motivim dhe vullnet i përmbush të gjitha obligimet ndaj anëtarëve të saj. Shërbimet e Odës janë çdo ditë në rritje e sipër, ku përmes deskut të shërbimeve në baza ditore kemi komunikm të jashtëzakonshëm. Në aspektin e vizualitetit, OEMVP ka arritur rejting shumë të lartë në krahasim me të kaluarën. Në aspekt të peshës politike kemi arritur etablim në nivel të lartë ku përmes ekspertizave  dhe lobimit  kemi arritur të ndryshojmë shume ligje dhe regullore në interes të biznesit. Gjithashtu është për tu krenuar me  faktin qe OEMVP tre vite me radhe është partner i vetëm i WEF-it (World Economic Forum) në nivel Global. Bashkëpunimi me dhomat e tregtisë të rajonit është në bazë ditore. Pjesëmarrese në shumë forume Ekonimike në nivel Botëror. Pra faktorizimi i OEMVP-së është idukshëm por gjithesesi ne vazhdojmë me përkushtim vetëm me një qëllim, avansim dhe rrjetëzim  të bizneseve në nivel botëror.

  1. Çfarë e bën OEMVP-në të rëndësishme në këtë periudhë, përfshirë këtu edhe krizën e Covid-19 por jo vetëm?

I pa kontestueshëm është fakti që OEMVP është institucion me ndikim të madh në vend sa i përket ekonomisë dhe proceseve tjera të rëndësishme. Si të jetë ndryshe kur anëtarësia jonë ka qarkullim mbi 1 miliard euro në nivel vjetor. Ajo mbulon çdo sektor dhe kategori, dhe për shkak të saktësisë së burimeve, qëndrimet tona janë të fuqishme dhe pranohen shpejtë nga opinioni, shoqëria dhe institucionet. OEMVP vazhdon të luaj rolin e saj origjinal i cili është të mbrojë interesat e biznesit në vend, të avansojë pozicionin e tyre dhe të përkrahë zhvillimin e të njejtave. Në këtë vit jubilar për Odën tonë, përskaj sfidave të zakonshme, u ballafaquam edhe me epideminë e Kovid 19 e cila përskaj provës, ajo paraqiti edhe mundësi për OEMVP-në të dëshmojë rëndësinë e saj për proceset shtetërore, dhe OEMVP e bëri këtë. Me pjesëmarrje aktive kontribuam dhe do të kontribuojmë në përpilimin e masave adekuate për rimëkëmbje të ekonomisë, poashtu do të vazhdojmë të jemi udhërrëfyes i kahjes ekonomike të vendit dhe bizneseve në përgjithsi me të vetmin qëllim të dëlirë, të ndihmohet ekonomia dhe biznesi që sa më parë të arrijmë në nivele të ngjashme me ato të Bashkimit Europian, ku dhe synojmë të anëtarësohemi si vend.

  1. Përmbledhje e 15 viteve të ekzistimit dhe vizioni për vitet e ardhshme?

Pas njëzetetëtë viteve të pavarësisë së R. Maqedonisë ajo akoma gjendet në periudhën fillestare të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik e posaçërisht në vitet e fundit me ballafaqimin e krizës globale ekonomike.

Shkaqet të cilat e bëjnë që ekonomia akoma të jetë në “tranzicion” mesa duket akoma janë të njëjta: hapësira e vogël gjeografike e vendit ku operojnë bizneset; faktorët e ndryshëm përkufizues zhvillimor; trashëgimia e nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik, si dhe mungesa e bashkëpunimit dhe veprimtarisë ekonomike bashkëkohore.

Prandaj, nevojitet përmirësim i menjëhershëm i kushteve për punë afariste në vend, që të rritet produktiviteti, konkurrenca dhe njohja e vendit tonë si mjedis atraktiv për investime, kundruall vendeve tjera të regjionit të Evropës Juglindore dhe më gjerë si vende konkurrente për tërheqjen e investimeve. Transformimi i remitancave në investime është një parakusht dhe perspektivë e pazëvendësueshme për vendin dhe diasoporën tonë, ku rinia duhet të aftësohet për të operuar në vendlindje.

Këtë kërkesë e mundëson vetëm një qasje profesionale dhe këtë më së miri e bën OEMVP në egzistencën e saj që 15 vite. Format e organizimit në mesin e shqiptareve datojne nga periudha të vjetra shekullore ku më saktë kemi informatat nga shoqatat e bizneseve në Tiranë mbi 120 vite , në Shkodër, në Shkup, Prishtinë, Prizren, Elbasan etj. Pra OEMVP është vetëm një formë e re e organizimit në kushtet e reja  pas krijimit të shtetit të Maqedonisë.  Roli i OEMVP-së gjatë periudhës 15 vjeçare ishte i shumëfishtë dhe fokusi kryesor ishte krijimi i politikave makroekonomike afatmesme dhe afatgjata, pergjegjësia shoqërore e bizneseve, qasja ndaj partive politike, zhvillimi i barabartë rajonal, avansimi i gruas sipërmarrëse, modernizimi dhe digjitalizimi i proceseve të kompanive me të vetmin mision, OEMVP të organizon, avancon, mbron dhe promovon biznes interesat brenda dhe jashtë vendit, bashkë me sfidat e konkurrencës globale dhe vizion, OEMVP ka për qëllim të bëhet organizatë lider në përfaqësimin e interesave të biznesit dhe krijimin e mjedisit të volitshëm për zhvillim.

  1. Fjala përmbyllëse e kryetarit për këtë vit jubilar (15 vite ekzistim)?

Periudhën e ekzistimit të OEMVP-së nuk e bën të vlefshme jetëgjatësia dhe vitet, pos veprimtaria e cila i ka lënë gjurmët e thella si dëshmi për atë se çfarë është punuar. Nuk duam të flasim shumë e t’ua pamundësojmë veprave për të thënë atë që kanë për të thënë. Nëse e vërteta varet nga perspektiva, atëherë e vërteta e jonë është se ekzistimi i OEMVP-së është e stërmbushur me projekte dhe aktivitete te suksesshme që u realizuan që nga fillimi, e në këtë perspektivë këto 15 vite shfaqen të ngjeshura dhe të shumta nëse gjykohen me vëllimin e veprimtarisë.

Karakteristikë e institucionit me të cilin unë po udhëheq për të dytin mandat me rradhë, është se nuk kemi rreshtur së zhvilluari dhe se nivelizimi apo tatëpjeta asnjëherë nuk ishin prezente në lakoren e ecurisë së Odës.

Është krenari të jem kryetar i OEMVP-së e sidomos të shënoj këtë përvjetor jubilar si udhëheqës i saj. Kjo krenari që e ndiejmë si anëtarësi, si biznese shqiptare vendore është modeste dhe rrjedh nga kënaqësia e përfituar kur ne arritëm t’i bashkojmë bizneset e vendit rreth një qëllimi të dëlire i cili aspak nuk kishte qëllime të përfitimeve vetanake. Më duhet të them se institucioni ynë në këtë 15 vjetor, na gjen shumë të fuqishëm por na ka vendosur përballë shumë sfidave të reja të cilat me përkushtimin tonë të dëshmuar do t’i tejkalojmë. Përskaj shumë sukseseve, më duhet të theksoj se suksesi më i madh që kemi arritur në këto vite ekzistim është se ia dolëm të bëhemi shembull për institucionet tjera, dhe kemi dëshmuar se edhe ne si shqiptarë kemi mundësi të krijojmë dhe zhvillojmë institucione kredibile edhe pse çdoherë jemi përballur me pengesa nga më të ndryshmet.

Tash si anëtare e NATO-s dhe në prag të negociatave për antarësim në EU perspektiva eshte e garantuar, prandaj duhet përveshur krahët dhe mos të merremi me të kaluaren.

Qoftë ky 15 vjetor vetëm fillimi nga ku do të burojë energjia dhe inspirimi për shumë vite tjera, e deri atëherë suksesi ynë do të shërbej vetëm si përkujtim i mundësive, ndërsa sfidat do të jenë gjeneruesi i vullnetit për të vazhduar përpara.