01.07.2025, Shkup – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore realizoi takim me Ambasadoren e Japonisë në Shkup, Shkëlqesia e Saj znj. Setsuko Kawahara, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim.
Ambasadorja Kawahara u mirëprit nga Kryetari i OEMVP-së, z. Mendi Qyra, Drejtori Ekzekutiv z. Durim Zekiri, Nënkryetari z. Shpresim Tairi, si dhe anëtarët e Këshillit Drejtues, z. Menderes Kuçi dhe znj. Qanije Selimi.
Në fjalën e tij, Kryetari i OEMVP-së, z. Mendi Qyra, theksoi respektin e thellë që Oda ka për Japoninë dhe për potencialin që ky shtet ofron për bashkëpunim ekonomik. Ai shtoi se OEMVP mbetet e përkushtuar në zhvillimin e mëtejshëm të bizneseve vendore përmes bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe më gjerë, duke theksuar interesimin për qasje në trajnime dhe ekspertizë japoneze, si një model i dëshmuar për zhvillim dhe përparim.
Në vazhdën e diskutimeve konkrete për nevojat e komunitetit të biznesit, Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së, z. Durim Zekiri, potencoi nevojën e bizneseve anëtare për know-how nga Japonia, veçanërisht në fushat e teknologjisë dhe inovacionit, duke e cilësuar këtë si një potencial ende të pazhvilluar. Gjithashtu, z. Zekiri potencoi se shkëmbimi tregtar para 20 viteve ishte 21.5 milion euro, prej të cilave rreth 2 milion euro eksport drejt Japonisë, ndërsa vitin e kaluar eksporti arriti në 1.6 milion euro, ndërkaq importi në 128 milion euro, vlera të cilat janë indikatorë të një rritje të shkëmbimit tregtar, por ulje të eksportit dhe rritje të importit.
Znj. Selimi hapi si temë diskutimi edhe çështjen e mundësive të financimit për biznese, me qëllim të lehtësimit të qasjes në fonde dhe përkrahjes së rritjes dhe zhvillimit të kompanive.Ndërkohë, Ambasadorja Kawahara shprehu gatishmërinë për të mbështetur vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet kompanive japoneze dhe atyre nga Maqedonia e Veriut, duke u bazuar në respekt të ndërsjellë dhe ndërtimin e besimit si themel i çdo bashkëpunimi të suksesshëm.
Anëtari i Këshillit Drejtues të OEMVP-së, z. Menderes Kuçi, vuri në pah se besnikëria është një nga atributet më të rëndësishme që karakterizon OEMVP-në dhe komunitetin e saj të biznesit, duke theksuar seriozitetin dhe përkushtimin për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërkombëtare.
Në përmbyllje të takimit, u dakordua që të vendoset një kanal i rregullt komunikimi për shkëmbimin e informatave rreth mundësive për bashkëpunim ekonomik, përfshirë pjesëmarrjen në aktivitete dhe mbështetjen për rritjen e kapaciteteve të kompanive vendore.






