Sami Morina, anëtar i Këshillit Drejtues të OEMVP-së, mori pjesë si panelist në Debat Forumin me temë “Arsimi dual, lidhja ndërmjet kompanive dhe studentëve”, të organizuar nga Fakulteti Heidelberg në Shkup.
Z. Morina ishte pjesë e panelit të diskutimit me temë “Produktiviteti dhe aftësitë praktike – elemente thelbësore për kompanitë”, ku ndau përvojat dhe pikëpamjet e tij mbi rëndësinë e përgatitjes praktike të studentëve dhe nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve arsimore.
Gjatë diskutimit, u potencua se kompanitë sot kanë nevojë për kuadro që përveç njohurive teorike, të posedojnë edhe aftësi konkrete praktike, të cilat mund të aplikohen menjëherë në vendin e punës. Po ashtu, u diskutua rëndësia e krijimit të programeve të përbashkëta ndërmjet universiteteve dhe bizneseve, me qëllim përgatitjen më efikase të studentëve për tregun e punës.
Gjithashtu, u theksua se arsimi dual paraqet një model të rëndësishëm për zhvillimin e kuadrove profesionale, duke u mundësuar të rinjve të fitojnë njohuri praktike dhe aftësi konkrete që i përgjigjen kërkesave reale të tregut të punës.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të OEMVP në forume të tilla kontribuon në hapjen e dialogut ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve arsimore, duke krijuar mundësi për iniciativa konkrete dhe bashkëpunime afatgjata në funksion të zhvillimit profesional të të rinjve.




