z. Xhemail Dauti – Kaluam sfida të rënda për krijimin e OEMVP-së, por mundi ia vlejti plotësisht

Duke qenë se viti 2020 është viti jubilar i 15 vjetorit të themelimit të OEMVP-së, ne kemi realizuar intervista me kryetarët e saj që udhëhoqën institucionin në këto 15 vite ekzistim.
Intervista e parë është realizuar me zotëri Xhemail Dautin, i cili ishte njëri nga protagonistët kryesorë të themelimit si dhe Kryetari i Parë i OEMVP-së.
Ju ftojmë të lexoni këtë intervistë.
Lexim Të këndshëm.

1) Cilat ishin rrethanat që e sollën idenë e formimit të OEMVP-së para 15 viteve?

Kuvendi themelues i OEMVP-së u mbajt më datë 11.02.2005 në Hotel Lirak në Tetovë. Qëllimi ishte krijimi i një ode ekonomike në të cilën do të përfshiheshin pjesa dërmuese e bizneseve shqiptare. Kjo ide lindi si rrjedhojë e rrethanave që u krijuan në Maqedoni pas shkëputjes nga ish Jugosllavia.

Duke pasur parasysh se Maqedonia zgjodhi konceptin më të dështuar të privatizimit, si rrjedhim shqiptarët mbetën jashtë procesit të privatizimit të pronës shoqërore, por edhe një pjesë e mirë edhe nga denacionalizimi. Ky process u zhvillua në heshtje me moton “Kapitali i Maqedonisë të mbetet në dorë të maqedonasve”.

Shqiptarët në kuadër të mundësive që u krijuan, filuan që të themelojnë biznese të cilët shumë shpejtë u etabluan në treg dhe u njohën si afaristë me të cilët do të krijohej një fuqi tjetër ekonomike. Por në organizimet kolektive të bizneseve ata ishin jashtë procesit, edhe pse në mënyrë individuale përmes forcave politike bëhej një shtypje për ndryshim. Pas kësaj erdhi deri te ndryshimi i ligjit për odat ekonomike që shënoi fillimin e krijimit të një hapsire të re për themelimin e odave të reja ekonomike përveç asaj ekzistuese – Odës Ekonimike të Maqedonisë (OEM).

Një grup afaristësh shfrytëzuan këtë moment dhe themeluan Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore. Ai grup detektoi se shqiptarët veçmë kishin krijuar një klasë të shëndoshë të afaristëve në Maqedoni.

2)  Sfidat fillestare me të cilat u ballafaqua Oda dhe Kryetari i saj i parë?

Sfidat pas marrjes së iniciativës për krijimin e OEMVP-së ishin jo të pakta. Pak a shumë një pjesë e afaristëve ishin euforik por kishin një bindje të shëndoshë se nëse krijojmë një institucion të këtij lloji që do të merret me krijimin e ambientit të biznesit, lobimin në vend dhe jashtë vendit, pozita dhe ambient i biznesit do të përmirësohej por edhe do të mundësohej që të merren incicativa të reja për krijimin e kontakteve me biznese tjera në vend, regjion dhe anë e mbanë botës. Me këtë do të zgjerohej mundësia e edukimit të vetë afaristëve për ngritjen e bizneseve të tyre, gjë që do të ndihmonte në ngritjen e vetëdijes afariste dhe nivelit të edukimit dhe krijimit të kuadrove profesionale.

Pas themelimit të OEMVP-së, establishmenti politik maqedonas nuk e priti mirë krijimin e këtij institucioni, gjithashtu edhe punëtorët medial e karakterizuan si iniciativë për federalizim – konfederalizim, që do të bartë me vete karakterin politik. Pas gjithë kësaj ne hasëm në probleme me pushtetin politik në formën dhe mënyrën e regjistrimit të Odës. Pretendimet ishin që ne të regjistrohemi si një shoqatë joqeveritare e  jo si një odë ekonomike.

Në fillim u përzgjodh një term më i gjërë  – “Oda ekonomike e rrethit ekonomik të Maqedonisë veri-perendimore”.

Problemi që u krijua me pushtetin akoma vazhdon të paraqes një sfidë, por tashmë jemi të etabluar si institucion, sidomos në aspektin e lobimit për krijimin e një ambienti më të fuqishëm në RMV.

Ngritja e vetëdijes së afaristëve se duhet të kemi një qasje kolektive për problemet që na tangojnë të gjithë neve. Duke patur parasyshë se pjesa më e madhe e bizneseve shqiptare janë biznese individuale, të krijuara me vetë-iniciativë, me mungesë të një diapazoni më të gjërë të zhvillimit biznesorë, një pjesë e mirë e tyre nuk e shohin si një mundësi për ta rregulluar pozicionin dhe ambientin e avancimit të bizneseve të tyre.

Kemi patur periudha të ndryshme. Në vitin fillestar antarësia ishte në numër më të madh e pastaj kishte prej atyre që tërhiqeshin, dhe prej atyre që me vështirësi antarsoheshin, por tani më nuk e kemi atë problem. Sfida ishte e madhe sepse OEMVP nuk ishte e gatshme që në fillim të merret me të gjithë atë përgjegjësi, që nënkuptonte detektimin dhe zgjidhjen e problemeve të bizneseve shqiptare. Nuk kishte as staf organizativ përpos kryetarit dhe një të punësuar por kishte një vullnet shumë të madh te një pjesë e mirë e aktivistëve.

Gjatë periudhës fillestare, por  ndoshta edhe në kohën e tashme, ka elemente të atilla por me një intenzitet më të ulët.  Ka qenë tendencat e forcave politike për të na shfrytëzuar për kalkulimet e tyre politike por gjithmonë OEMVP-ja ka qenë e përpikët në funksionin e saj për tu etabluar si institucion apolitik i cili do të mbrojë vetëm interesat e bizneseve dhe shoqërisë.

Pozicioni i OEMVP-së ka mbetur konceptualisht që nga fillimi deri sot pa anime politike, me qasje konkrete për problemet e bizneseve dhe mirëqenies shoqërore, për një avancim të bizneseve, ekonomisë dhe shoqërisë në përgjithësi.

3) Cilat ishin pritjet e hershme dhe kur u realizuan ato?

Unë u zgjodha ad hoc si kryetar në momentet e zgjedhjeve për shkak se një numër i madh i themeluesve anonin që kryetari të jetë nga ndonjë kompani e etabluar mirë në treg dhe me një ndikim më serioz.

Me një entuziazëm të madh mendoja se shumë shpejtë kompanitë shqiptare do ta përqafonin këtë ide dhe për një kohë të shkurtë prej gjashtë muajsh deri në një vit do ta ngrisim këtë institucion në nivelin e dëshiruar. Mendoja se do ta strukturohej shumë shpejt, por përkundrazi realizimi i konceptit dhe i qëllimeve që kishim si iniciatorë dhe themelues zgjati për një periudhë shumë të gjatë.

Idetë dhe projektet konkrete filluan të realizohen diku pas gjashtë viteve, ku gjatë asaj periudhe ne krijuam relacione të llojllojshme me institucionet shtetërore duke u nisur nga Kuvendi, Kryetari i shtetit, Qeveria, Ministritë dhe institucionet e ndryshme, filluam të njihemi edhe në institucionet ndërkombëtare, nga përfaqësues diplomatik, ambasada të vendeve që kanë ndikim në krijimin e politikave ekonomike dhe politikave tjera në Maqedoninë e Veriut, përfaqësia e Bashkimit Europian, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, Ambasada e Gjermanisë etj. Krijuam relacione të shëndosha me të gjitha këto institucione si dhe me oda ekonomike në vend, në Kosovë, Shqipëri, Turqi, Itali si dhe në shumë vende të tjera të Botës.

Kjo gjë i nxiti afaristët që të jenë më afër Odës, duke u krijuar atyre mundësi për të shfrytëzuar shërbimet e Odës.

Edhe pse pak me vonesë, mendoj se koncepti dhe qëllimi dalë ngadalë u rrumbullaksua dhe pas gjithë kësaj jemi të bindur plotësisht se ja vlejti plotësisht mundi i dhënë, dhe kemi kaluar sfida të rënda për krijimin e këtij institucioni me peshë.

4) Përshkrimi përmbledhës që karakterizoi dhe e veçoi atë periudhë të udhëheqjes së institucionit nga ana juaj?

Periudha prej themelimit deri sa unë isha Kryetar u karakterizua me shumë sfida, ishte vështirë të ndajmë institucionin nga ndikimet e forcave politike për të na shfrytëzuar për qëllime politike. Rrethanat në ekonominë e Maqedonisë ishin siç u përshkruan më parë, jo në favor të bizneseve individuale dhe bizneseve që menaxhonin shqiptarët, por duke krijuar biznese private me vështirësi, ata kanë krijuar një vetëbesim se gjithçka mund të bëhet vetë, gjë që ngriti hezitimin për një qasje kolektive nëpër asociacione të ndryshme, sidomos në Odat ekonomike. Te një pjesë e mirë e afaristëve ishte prezente bindja se nuk do të bëhet ndonjë gjë, duke pasur parasysh se ne atë periudhë dhe periudhat e mëparshme shqiptarët përkrah themelimit të partive politike kane patur iniciativa për të krijuar shoqata të veprimtarive tjera dhe një pjesë e mirë e tyre kanë dështuar, e gjithë kjo për shkak të mosgaditshmërisë.

Më ka ndodhur shpesh nëpër biseda me afaristët për ti ftuar që të antarësohen, të thonë se ne një periudhë do të funksionojmë e më pas do të shuhemi. Një fenomen i cili tash më nuk është prezent.

Në fazat fillestare gjithashtu kanë ekzistuar problemet financiare për ngritjen e kapaciteteve të Odës, gjatë periudhës kur unë isha kryetar përkrahja financiare ka qenë nga vetëfinancimi i Odës, deri sa ne filluam të aplikojmë nëpër projekte, ndryshuam ligjin për Oda që të mund të liferojmë licenca dhe shërbime publike konform asaj që kryente Oda Ekonomike e Maqedonisë.