Intervista me Z. Kuçin: Me faktorizimin e OEMVP-së filloi të kthehet edhe besimi i bizneseve dhe jo vetëm

Në kuadër të programit të vitit jubilar 15 vite OEMVP, ju sjellim intervistën e realizuar me kryetarin e dytë të OEMVP-së z.Menderes Kuçin.

Lexim të këndshëm.

1.Cilat ishin sfidat e biznesit shqipëtarë në periudhën kur ju fituat mandatin e kryetarit të OEMVP-së?

Aso kohe biznesi shqiptarë sa po kishte filluar të etablohej dhe të merrte pozicionin e merituar në tregun kombëtarë dhe ate ndërkombëtarë, por gjithmonë injorohej dhe nuk kishte mbështetjen e duhur institucionale. Përkundrazi stimulohej informaliteti dhe varshmëria nga faktori politik. Vërehej se nuk kishte një bashkëpunim të ndërsjellë mes kompanive me pronarë shqiptarë, madje as që e njihnin njëri tjetrin sepse nuk ishin të organizuar sa duhet nëpër odat egzistuese ekonomike, sepse nuk kishin besimin në to e aq më pak në institucionet shtetërore sepse nga shteti trajtoheshin si bonjak apo jetim i cili duhej të jepte gjithmonë llogari dhe asnjëherë mos pyetej se çka i mungonte dhe se çfar nevojash kishin për zhvillimin e mëtejmë të kompanive të tyre. Aso kohe as që besonin se OEMVP mundë të ishte zëri i tyre, por me kalimin e kohës e kuptuan se vetëm të bashkuar dhe në formë të organizuar do të mundë të i arrinin qëllimet e tyre. Shpesh edhe faktori politik shqiptarë kishte paragjykimet e veta dhe jo shpesh bënte mbrojtjen e bizneseve shqiptare dhe nëse e bënte këte, e bënte në mënyrë selektive dhe individuale, sepse zëri i OEMVP-së akoma nuk dëgjohej sa duhet.

2.Cila ishte kahja e cila OEMVP-së i dha strategjia dhe programi juaj si Kryetar, dhe sa ajo ndihmoi biznesin me problematikat e saja?

Aso kohe, strategjia ime ishte që të shtohej sa më shumë që është e mundur numri i anëtarëve të odës me shtrirje gjeografike rajonale ashtu siç ishte krijuar edhe këshilli drejtues, duke ju dhënë detyrë secilit anëtarë të k.d. që brenda një muaji të sjell së paku nga 10 kompani. Bashkëpunëtorë të tyre apo miq afarist që vepronin në qytetin e tyre ndërsa unë si kryetar të siguroja dyfishin, në mënyrë që pastaj të punonim në ngritjen kadrovike të institucionit me kuadro profesionale duke hapur dyert e tij për thithjen e fondeve të ndryshme që ndaheshin për këto qëllime e që aso kohe shumë pak shfrytëzoheshin. Krejt kjo mëpas do t’i hapte rrugën OEMVP-së drejt faktorizimit të saj në raport me odat tjera dhe vetë qeverinë. Me vetë këtë u intensifikua dhe bashkëpunimi institucional, dhe tani më, problemet e kompanive filluan të trajtoheshin direkt në ministritë përkatëse edhe në ato të cilat drejtoheshin nga kuadro joshqiptarë edhe pse aso kohe kishte një sistem regjimi i cili zëshem kritikohej vetëm nga ky institucion për dukuritë negative që tangonin ekonominë e vendit siç ishte zvillimi jo i barabartë, moskthimi i TVSH-së, trajtimi i pabarabartë i investitorit vendorë në raport me ata të huaj, mosinvestimi në infrastrukturë, gjegjësisht investime kapitale që vareshin nga buxheti etj…

  1. Etablimi i OEMVP-së në vend në atë periudhë kohore, dhe perceptimi i biznesit dhe opinionit për të?

Mendoj se aso kohe me faktorizimin e OEMVP filloi të kthehet edhe besimi i bizneseve dhe jo vetëm në këtë institucion i cili e dëshmoi veten si apolitik dhe imun ndaj çdo ndikimi të politikës qoftë të pozitës apo opozitës, por për herë të parë partitë politike shqiptare filluan të flasin për ekonomi dhe kjo falë e platformës ekonomike të cilën OEMVP e kishte përgatitur si strategji afatgjate nga duhej të shkonte zhvillimi ekonomik i vendit. Kjo nxiti kureshtjen edhe të mediave të shumta në vend por edhe të opozitës maqedonase dhe kështu u krijua një standard që para çdo cikli zgjedhor të frekuentohej oda nga subjektet politike. Si dhe për herë të parë nuk emërohej ndonjë ambasador e të mos vizitonte odën dhe në këtë mënyrë të krijoheshin bashkëpunime edhe me diasporën si dhe me investitorët e huaj, dhe e gjithë kjo falë bashkëpunimit shumë të afërt dhe korrekt me institucionin kryetar i shtetit, i cili ka qenë prezent në çdo event të rëndësishëm në vend apo jashtë. Bashkëpunim ky që deri më atëherë nuk ka ekzistuar as edhe në aspektin formal, ndërsa tani më është vendosur një relacion normal ndërinstitucional e që e dëshmon edhe bashkëpunimi me kryetarin aktual të shtetit.

  1. Elementet më të spikatura të periudhës suaj të udhëheqjes me institucionin?

Si elemente më të spikatura do t’i kisha veçuar prezentimin e kompanive më të suksesshme dhe më të mëdha përmes katalogut Top 100 e që mëpas do të bëhet tradicionale dhe motivuese për kompanitë që të jenë pjesë e këtij katalogu si dhe të mburen me të qenurit anëtarë i OEMVP-së. Pastaj përfaqësimi i kompanive dhe odës në forume të ndryshme biznesi si dhe panele të shumta mediatike debative, ku është vlerësuar shumë oda si institucion. Mëpas fushata me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptarë me moton ”konsumoni produkte vendore,” ku për herë të parë u mbështet edhe nga Shqipëria , Kosova, Mali i Zi si dhe Presheva dhe Bujanoci me çrast u organizua edhe panairi i parë i këtij lloji në qendër të Shkupit e që në hapjen e tij morrën pjesë të dy presidentët e shteteve, ai Shqiptarë si dhe ai Maqedonas.

Më duhet të shtoj për në fund se i gjithë ky aktivitet nuk do të mundë të realizohej pa bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me kryetarin e parë të odës si dhe qasjen konstruktive që ai pati si kryetar i kuvendit si dhe këshillit drejtues, në veçanti suksesi i dedikohet stafit profesional të odës i cili më vonë e dëshmoi veten duke u bërë edhe pjesë e egzekutivit të qeverive në vazhdim, për çka shumë i falenderoj sepse nuk ka qenë i lehtë bashkëpunimi me mua si Kryetarë.