ANTPRESS
OEMVP prezanton rezultatet nga Projekti: "Fuqizimi i të Rinjve dhe Gjenerimi i Punësimit"

OEMVP prezanton rezultatet nga Projekti: "Fuqizimi i të Rinjve dhe Gjenerimi i Punësimit"

OEMVP_prezantim_Diber_128131176

Dibër, 11 gusht, viti 2014 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, së bashku me Fondacionin për Zhvillim të Qëndrueshëm “PREDA Plus” nga Prilepi organizoi një Konferencë për Shtyp, gjatë së cilës bëri prezantimin e rezultateve të arritura nga Projekti i përbashkët, me titull: “Fuqizimi i të Rinjve dhe Gjenerimi i Punësimit”, i cili u implementua gjatë 14 muajve të fundit.

Ky Projekt kishte si qëllim kryesor promovimin e partneritetit midis agjencive të ndryshme qeveritare lokale, institucioneve arsimore, organizatave rinore dhe sektorit privat në të dy anët e kufirit Maqedoni-Shqiperi, përkatësisht, qytetet e Dibrës dhe Peshkopisë, me qëllim arritja e kohezionit shoqëror të brezave të rinj nëpërmjet të arsimimit dhe punësimit.

Në Pres Konferencë fjalime përshëndetëse mbajtën kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Menderes Kuçi dhe kryetari i Komunës së Dibrës, z. Ruzhdi Lata.

Me këtë rast, kryetari Lata falënderoi OEMVP-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke shprehur komplimentet më të larta për këtë institucion, si dhe duke theksuar se pushteti lokal edhe më tej do të mbetet në shërbim të OEMVP-së për nevojat e saja.

Në fjalimin e tij, kryetari i OEMVP-së, z. Menderes Kuçi theksoi rëndësinë dhe efektin e këtij Projekti, njëherit duke falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin me OEMVP-në në projekte të ndryshme. 

Në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe të ardhshëm me komunën e Dibrës, kryetari Kuçi ua komunikoi të pranishmive vendimin e sjellë nga OEMVP, me të cilin përcaktohet se të gjitha pajisjet e shfrytëzuara gjatë implementimit të Projektit, do t’i jepen për përdorim Komunës së Dibrës. “Me përfundimin e këtij Projekti, nuk përfundon bashkëpunimi me Komunën e Dibrës”, deklaroi z. Kuçi. 

Pas kësaj, vijoi nënshkrimi solemn i Marrëveshjes për pranim-dorëzim nga kryetari i OEMVP-së dhe kryetari i komunës së Dibrës.

Në fund, drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, z. Arben Halili bëri prezantimin e rezultateve të këtij Projekti. “Rezultatet e arritura nga ky Projekt ishin 4 punëtori dhe 4 trajnime të realizuara, të cilat grumbulluan përfaqësues nga administrata lokale, bizneset lokale, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Shkolla e Mesme e Dibrës, si dhe përfaqësues të organizatave implementuese të Projektit, pra OEMVP dhe PREDA Plus, për ta ngritur vetëdijen për rëndësinë e krijimit të politikave për resurset njerëzore dhe promovimin e masave ekzistuese nga ana e Agjencisë për Punësim.”, prezantoi mes tjerash z. Halili.

Në kuadër të Projektit u organizua dhe Panairi Rajonal për Punësim dhe u bë promovimi i web platformës, në të cilën të papunësuarit nga rajoni do të informohen për shpalljet aktuale, si dhe për firmat ekzistuese në rajon. 

Analiza e trendeve të punësimit tregon se mes tjerash, arritjet e këtij projekti bënë që të intervistoheshin 53 punëdhënës (firma, institucione shtetërore dhe organizata qytetare nga DIbra, Kërçova, Ohri dhe Struga, dhe 100 të rinj deri në moshën 25-vjeçare, nga të cilët 41 meshkuj dhe 59 femra.

 

Related posts