OEMVP mysafire e Aleancës Kosovare të Bizneseve me rast të manifestimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Mendi Qyra, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të OEMVP, z. Nazmi Ejupi, Kryetarin e Nderit, z. Xhemail Dauti, dhe Drejtorin Ekzekutiv, z. Durim Zekiri, morën pjesë në ngjarjen solemne të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në fjalimin e tij përshëndetës, kryetari Qyra uroi të gjithë të pranishmit për këtë ditë historike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit strategjik ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Pavarësia e Kosovës është një arritje historike që ka hapur rrugën për zhvillim dhe prosperitet. Bashkëpunimi ynë ekonomik është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë, për rritjen e volumit tregtar mes dy vendeve dhe zhvillimin ekonomik rajonal,” u shpreh z. Qyra.

Ngjarja mblodhi afaristë të shquar nga trojet shqiptare, përfaqësues të institucioneve, diplomatë dhe liderë biznesi, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe krijimin e mundësive të reja për partneritete në të ardhmen.