Takim mes Grupacionit të Ndërtimtarisë, Urbanizmit, Mjedisit dhe Energjetikës të OEMVP dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike
Shkup, 18 Shkurt 2025 – Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore u zhvillua takim mes përfaqësuesve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) dhe kompanive anëtare të Grupacionit të Ndërtimtarisë, Urbanizmit, Mjedisit dhe Energjetikës.
Ky takim u fokusua në zbatimin praktik të Ligjit për Tatimin mbi Fitimin, me theks të veçantë në mundësitë e ri-investimit të fitimit dhe kategoritë e aseteve materiale dhe jo-materiale për të cilat ai mund të përdoret. Diskutimi synoi të ofrojë qartësi mbi kushtet dhe procedurat, duke ndihmuar bizneset në optimizimin e financave të tyre.
Drejtori i OEMVP, Durim Zekiri përshëndeti këtë nismë të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, duke vlerësuar qasjen proaktive dhe bashkëpunimin e ndërsjellë për të siguruar zbatim efikas të politikave tatimore. Ai gjithashtu theksoi gatishmërinë e kompanive anëtare të Odës për të qenë pjesëmarrës aktiv në diskutime të tilla, të cilat kontribuojnë në forcimin e sektorit privat dhe krijimin e një klime më të favorshme për investime. Në takim morën pjesë edhe koordinatorët e grupacionit, z. Sami Morina dhe z. Resul Hani, të cilët ndanë perspektivat e sektorit dhe adresuan sfidat kryesore me të cilat përballen kompanitë.
Përfaqësuesit e bizneseve pjesëmarrëse patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë në mënyrë interaktive me përfaqësuesit e DAP, duke siguruar një shkëmbim të frytshëm të informatave dhe praktikave më të mira. Përfaqësuesit e DAP shprehën gatishmërinë për organizimin e takimeve të mëtejshme për të informuar më tej komunitetin e biznesit mbi aspektet tatimore.
OEMVP mbetet e angazhuar në mbështetjen dhe fuqizimin e bizneseve, duke krijuar platforma efektive për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik.