Drilon Iseni – OEMVP është rritur viteve të fundit me hapa gjigant

Viti 2020 paraqet 15 vjetorin e themelimit të OEMVP-së. Vit jubilar, që mund të tingëlloj si numër modest derisa nuk kthjellet kujtimi për krijimin e saj me një gjenezë madhështore që rrjedh nga vullneti i fuqishëm i biznesit shqiptar në vend. Themelimi i saj atë kohë, ishte padyshim sfidues por në të njejtën kohë edhe shpresëdhënës për gjitha subjektet afariste që vepronin kryesisht në rajonin veri-perëndimor, e që më vone veprimtaria e OEMVP-së të kaplon edhe rajonet tejra si ai Lindor, Pellagoninë etj.

Iniciativat kundër saj që u realizuan nëpërmjet etiketimit etnik, e bënë rrugëtimin e saj jo te lehtë duke pasur për qëllim të ngjallin dyshime nëse vallë do të mundët ky institucion t’u mbijetojë sfidave institucionale. Dhe kështu ishte nisma e Odës, periudhë e rëndë dhe e gjatë ku qëndrueshmëria e saj ishte e vendosur përball provave të njëpasnjëshme, por që koha të lejon institucionin të etablohet nëpërmjet shtytjes dhe përkrahjes të grupit të themeluesve të Odës të cilët gjithnjë kanë qenë aty.

Ashtu siç edhe koha kalonte, me ritëm të njejtë paralelisht zhvillohej prezenca e Odës në vend. Dekada e dytë e gjen OEMVP-në në një situatë më të lakmueshme dhe më të ngritur institualisht, me rrjet më të zgjeruar me anëtarësi të re, me sektorë të diversifikuar dhe një numër më të madh projektesh. E hapur dhe me qasje proaktive ndaj anëtarësisë së saj, OEMVP tanimë filloi të zhvillon vizita dhe takime me anëtarët e saj për identifikimin dhe trajtimin e problematikave të përditshmërisë së tyre nëpërmjet  realizimit të programeve si “Anëtari për Anëtarin”, Grupacioni i Grave Afariste, Desku i Shërbimeve, B-wall etj në mënyrë që të jetë sa më afër anëtarësisë.

Duke qenë aktive përball problematikave që rrethonin biznesin shqiptar, na bëri neve si institucion të jemi në mesin e Odave ekonomike kryesore të vendit, duke fituar titullin si mbrojtësi real i nevojave të biznesit. Ajo që e bën edhe më të veçant statusin tonë si institucion, është fakti se ne qëndruam imun nga çdo ngjyrosje politike dhe distancuam çdo grup interesi që nuk kishte për qëllim interesin kolektiv të bizneseve në përgjithësi.

Marrë për referencë strategjinë e Odës, do vazhdojmë të japim kontributin tonë drejt realizimit të të drejtave dhe interesave të biznesit, rritjen e anëtarësisë dhe zgjërimin e shërbimeve. Kjo retrospektivë 15 vjeçare e ekzistimit, do të shërbej si reaktor nga ku do të burojnë mësimi, idetë dhe energjia për të vazhduar më tej të kontribuojmë në këtë kauzë të përbashkët të biznesit.

Jemi rritur në këto vitet e fundit me hapa gjigantë dhe të shpejtë, ndërsa spektri që paraqitet në vizionin e së ardhmes, na jep shenja të qarta që do të duhet të vazhdojmë me dëshirën e njejtë të punës. Do të sigurojmë që kremtimi i vitit jubilar të ardhshëm të na gjejë edhe më të fuqishëm si Odë, nën krahët e së cilës do të strehohen një numër shumë më i madh i kompanive.

Jam mirënjohës ndaj nderit që më është dhënë të drejtoj këtë institucion të madh shqiptar i cili njihet për relevancë dhe palëkundshmëri. Qoftë ky 15 vjetor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore fillimi i një kapitulli tjetër të suksësshëm që do të shkruhet si pjesë e rrugëtimit të OEMVP-së.