OEMVP prezanton Platformën Ekonomike para PDSH-së

04.03.2020, Shkup – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vazhdon me realizimin e takimeve me partitë politike në këtë periudhë parazgjedhore dhe kësaj rradhe u zhvillua takim pune me partinë politike PDSH, në krye me z.Menduh Thaçin.

Këto takime me partitë politike zhvillohen me qëllim që të prezantohet Platforma Ekonomike e OEMVP-së, ku përfëshihen problematikat, politikat, masat prioritare të cilat do të kontribojnë në zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi, zhvillimin e barabartë të të gjitha rajoneve planore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shumë aspekte strategjike që vijnë nga sfera e biznesnit dhe ekonomisë. Platforma e OEMVP-së është ngritur mbi parimet bazë mbi të cilat do të ndërtohet mirëkuptimi i ndërsjellë mes partisë në pushtet dhe komunitet të biznesit. Ato parime janë: transparenca dhe llogaridhënia, zvogëlim i zhvillimit të pabarabartë rajonal ekonomik, ulja e papunësisë, krijimi i një strategjie afatgjate për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe rritja e BPV-së mbi 4% në katër vitet e ardhshme.

OEMVP njihet si institucion me vizion dhe me çasje proaktive, dhe si e tillë ajo edhe sot më 4 Mars 2020 e prezantoi platformën e saj përpara Partisë Demokratike Shqiptare, duke shtjelluar çështjet kryesore me të cilat shoqeria jonë ka probleme në aspektin ekonomik dhe social.

OEMVP 15 vite me rradhë përkrahë biznesin shqiptar dhe është në shërbim të antarësisë, kështu dhe u transformua në një faktor relevant në përkrahjen e bizneseve dhe në përpilimin e politikave relevante shtetërore.

Kryetari i OEMVP-së z. Nebi Hoxha theksoi se platforma për zhvillim të Maqedonisë së Veriut përmban masa dhe prioritete të nevojshme të cilat duhet të përfëshihen në programet politike të partive që do të jenë pjesë e qeverisë.

Nga ana tjetër, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi theksoi se është nder dhe privilegj të merr pjesë për herë të parë në takim me OEMVP-në dhe se ato kërkesa do të shqyrtohen nga departamentet përkatëse të partisë.