21.05.2025, Shkup – Kryetari i OEMVP, z. Qyra, së bashku me nënkryetarin z. Aliu, anëtarin e Këshillit Drejtues z. Morina, drejtorin ekzekutiv z. Zekiri dhe menaxheren operative znj. Ajdini, mirëpritën në takim Kryetarin z. Besart Dreshaj dhe përfaqësues të bordit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës.
Ky takim përfshiu diskutime mbi mundësitë e bashkëpunimit në çështje të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në klimën afariste dhe zhvillimin ekonomik në të dy vendet. U theksua se heqja e barrierave doganore dhe harmonizimi i tarifave është me rëndësi të veçantë për të lehtësuar tregtinë ndërkufitare dhe për të përmirësuar qarkullimin e mallrave.
Gjithashtu, u trajtua çështja e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar. Palët shprehën nevojën për politika të koordinuara që mbështesin arsimin profesional, migrimin ekonomik të kontrolluar dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.
Të dy institucionet shprehën gatishmërinë për bashkëpunim dhe për të ndërmarrë hapa konkretë të çështjeve që janë në favor të sektorit privat.






