Në kuadër të angazhimit për fuqizimin e sipërmarrjes së grave dhe zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, përfaqësueset e kompanive anëtare të Grupacionit të Grave Afariste të OEMVP-së morën pjesë në ngjarjen dhe panairin ndërkombëtar “She Leads 2026”, i mbajtur në Baden, Zvicër.
Në këtë ngjarje e cila konsiderohet nga më të rëndësishmet të dedikuara për gratë në biznes dhe lidership, OEMVP u përfaqësua nga Kryetarja e Grupacionit të Grave Afariste znj. Qanije Selimi, si themeluese e kompanisë Qendra Rea, ndërsa të pranishme ishin edhe kompani tjera anëtare të grupacionit, përfshirë znj. Vlora Ajdini, përfaqësuese e kompanisë Royal Palace. Gjatë aktivitetit ata prezantuan veprimtarinë dhe përvojat e kompanive të tyre, duke promovuar potencialin e grave sipërmarrëse dhe duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja bashkëpunimi dhe rrjetëzimi.
Qëllimi i këtij organizimi ishte nxitja e sipërmarrjes dhe krijimi i kontakteve të qëndrueshme afariste, duke kontribuar në fuqizimin ekonomik dhe profesional të grave.
Në këtë edicion morën pjesë 35 biznese të drejtuara nga gra, ndërsa të pranishme ishin sipërmarrëse dhe përfaqësuese biznesesh nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare, duke e shndërruar ngjarjen në një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, ideve dhe mundësive të reja për bashkëpunim.
Pjesëmarrja e kompanive anëtare të OEMVP-së në “She Leads 2026” konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të Odës për mbështetjen e grave afariste dhe fuqizimin e rolit të tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.




