U mbajt manifestimi TOP 100

front_bushi_625579403 (2)

Në TOP 100 renditen kompanitë më të suksesshme shqiptare të vitit në bazë të tre kategorive kryesore siç janë: Qarkullimi i përgjithshëm vjetor; Neto fitimi; dhe Numri i të Punësuarve;

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vendosi që sivjet të fut edhe një kriter të ri në renditjen e sivjetshme, atë të rritjes më të lartë të shënuar në tre vitet e fundit.

Të pranishëm në manifestim ishin Ministri i Ekonomisë, z.Bekim Neziri, zv.ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Kryetari i Komunës së Çairit, z.Izet Mexhiti, përfaqësues nga ambasadat e Republikës së Amerikës, Turqisë, Iranit, biznismenë-anëtarë të OEMVP-së, bashkëpuntorë etj.

Kryetari i OEMVP-së, z.Menderes Kuçi si nikoqir i këtij manifestimi bëri hapjen e eventit dhe me këtë rast mbajti fjalimin e  rastit. Ndër të tjera ai theksoi rolin e rëndësishëm të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore për afaristët dhe shoqërinë në përgjithësi, ngase është OEMVP-ja ajo që ndjek, promovon dhe i nxit anëtarët e saj të punojnë më shumë që të jenë pjesë e këtij TOP 100 apo pjesë e më të mirëve. Ai shfaqi kënaqësi të veçantë se në mesin e TOP 10 kompanive më të suksesshme sivjet gjendeshin dhe kompani më pak të njohura për opinionin e gjërë dhe se kjo sipas tij dëshmon faktin se me punë dhe përpjekje të vazhdueshme mund të ngjiten shkallët e suksesit shpejt.

 Këtë vit OEMVP-ja në realizimin dhe publikimin e katalogut TOP 100, gjeti përkrahje të parezervë dhe nga Ministria e Ekonomisë dhe kryesuesi i këtij dikasteri z.Bekim Neziri. Ai theksoi faktin se qarkullimi i këtyre 100 kompanive të renditura si më të suksesshme,  gjatë vitit të kaluar ka shënuar 524 milion euro, me çka ata përbëjnë 3 % të qarkullimit të përgjithshëm në vend, që është 17 miliardë e 340 milionë euro. Në ndërkohë që dhe numri i të punësuarve është rritur në 5600 dhe që sipas tij kjo dëshmon më së miri rritjen dhe zhvillimin e këtyre kompanive në drejtim të duhur.

Në vijim Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së,z.Arben Halili prezantoi përmbajtjen e katalogut, TOP 10 kompanitë më të suksesshme si dhe kompaninë me rritje më të lartë në tre vitet e fundit.

Çmimin e parë e rrëmbeu kompania e cila ka nisur rrugëtimin e saj që nga viti 1990 dhe me punën e saj të palodhshme arriti të klasifikohet sot si kompania më e suksesshme, në bazë të metodologjisë dhe kritereve të lartëpërmendura. Ky çmim shkoi për kompaninë DAUTI-KOMERC, me pronar z.Xhemail Dauti.

Çmimi i dytë ju nda kompanisë ALMA-M nga Shkupi, me pronar Muarem Murtezani. Çmimi i tretë shkoi për kompaninë EUROAKTIVA dhe kompaninë EUROMEDIA, ngase të dyja u renditën barabartë në klasifikim. Çmimi i veçantë për rritje më të lartë në tre vitet e fundit, shkoi për kompaninë NABIZI dhe pronarin e saj z.Kamber Bizati.

 Katalogun TOP 100 për vitin 2014 do mund ta gjeni në formë elektronike në faqen zyrtare të OEMVP-së.

Comments are closed.