Prezantimi i raportit nga “Vlerësimi i pestë i mjedisit të biznesit në Maqedoninë e Veriut” dhe ceremonia e mbylljes së projektit

Sot u prezantuan rezultatet nga Vlerësimi i pestë i mjedisit të biznesit në Maqedoninë e Veriut të organizuar nga projekti i USAID-it Partneritet për Rregullativë më të mirë afariste i cili zbatohet nga EPI CENTER në partneritet me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Odën ekonomike për teknologji informatike dhe të komunikimit (MASIT), Odën ekonomike të Maqedonisë dhe Lidhjen e odave ekonomike. Prezantimi përfshiu gjithashtu një analizë të tendencave të vëzhguara dhe ndryshimeve në mjedisin e biznesit në pesë vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, në këtë ngjarje u shënuan sukseset e projektit që përfundon më 31 Dhjetor 2020.

Folësit kryesor ishin z. Drilon Iseni, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) dhe Kryetari aktual i Platformës për Dialog Publiko-Privat, z. Ljubomir Dimovski, Drejtor i projektit “Partneritet për rregullativë më të mirë të afariste”, dhe z. Erik Janowsky, Drejtor i USAID në Maqedoninë e Veriut. Gjetjet e hulumtimit u prezantuan nga konsulentit Z. Vlatko Danilov.

“Fakti që të gjithë jemi këtu për të shënuar sukseset e projektit, edhe gjatë kësaj situate të vështirë, flet për përcaktimin tonë se qëllimi i projektit duhet të përmbushet pavarësisht nga pengesat që i hasëm gjatë rrugës. Me ndihmën e USAID Maqedoni e Veriut, për herë të parë në historinë e vendit, katër odat ekonomike  më të fuqishme u bashkuan duke pasur qëndrime të unifikuar, me qëllimin e mbrojtjes së interesave të biznesit. Për here të parë, me një platformë të tillë udhëheqin Odat ekonomike e jo Qeveria, ky fakt paraqet një sukses të madh për ekosistemin e odave ekonomike por dëshmon edhe pjekurinë institucionale të qeverisë.Ajo çfarë na bën krenar neve si Oda dhe partnerë të këtij Projekti është fakti që për herë të parë i kemi dhënë mundësi sektorit të biznesit të shpalosë çështjet e veta deri te Qeveria dhe institucionet relevante. Përskaj të njëjtës, është arritje e madhe që ne si oda përmes Platformës e nisëm këtë dialog duke u bërë shkas që përfundimisht të mbarojë epoka “e embargos” së institucioneve shtetërore karshi subjekteve afariste vendore”- u shpreh Drilon Iseni.

Përfundimet dhe rekomandimet nga analiza do të adresohen tek autoritetet përkatëse përmes Platformës për Dialog Publiko-Privat e cila përbëhet nga katër odat ekonomike të lartë përmendura për të ndihmuar në krijimin e masave që do të përmirësojnë klimën e biznesit dhe do nxisin mbështetjen e Qeverisë për sektorin privat përmes masave që synojnë të trajtojnë ndikimin e pandemisë COVID-19.