Të pranishëm në këtë Panair ishin institucionet, bizneset dhe kompanitë që ofrojnë punë, punë praktike dhe trajnime për studentët dhe të diplomuarit, si dhe organizatat dhe institucionet që ofrojnë bursa, kurse, trajnime, mundësi studimi jashtë vendit, etj, të cilat do të jenë të interesuar të rekrutojnë studentët më të suksesshëm.
I pranishëm ishte Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z.Abdilaqim Ademi, Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z.Menderes Kuçi dhe udhëheqësi i Qendrës për Karrierë, z.Shaban Arsllani.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z.Menderes Kuçi, theksoi se bashkëpunimi mes OEMVP-së apo biznesit në mënyrë indirekte dhe Universiteti Shtetëror të Tetovës, vazhdon të jetë në nivelin e duhur, duke qëndruar gjithmonë pas iniciativave të këtilla, për të ndërmjetësuar dhe krijuar mundësi për ngritjen dhe zgjerimin e mundësive për studentët tanë dhe biznesin në anën tjetër.Sipas tij, lidhja mes Universitetit dhe sektorit privat duhet të nisën që nga krijimi i programeve arsimore, duke filluar nga shkolla e mesme me qëllim që të plotësohen nevojat e kompanive, sidomos nevojat për kuadro themelore teknike.
Ky panair ishte mundësi e mirë për të shkëmbyer kontakte, biografitë dhe njohje reciproke mes studentëve dhe punëdhënësve, gjegjësisht kompanitë të cilat ishin prezente me shtandet e tyre.




