OEMVP takim me Frontin Europian: Platformë e përbashkët për zhvillim ekonomik të vendit

Sot me datë 06.05.2024, Shkup- Në hapësirat e anëtarit të OEMVP Hotel Actor u realizua takim me liderët e Frontit Europian, për të diskutuar rreth Platformave ekonomike 4 vjeçare të të dyja palëve.

Ky takim kishte synim të shqyrtohet performanca e sektorëve kyç në ekonominë tonë dhe të propozohen masat e nevojshme për përmirësimin e tyre, duke u fokusuar në fuqinë punëtore, rritjen e efikasitetit të punës,  investime produktive, dhe përmirësimin e kushteve për të bërë biznes.

Kryetari Qyra tek liderët e Koalicionit “Fronti Europian” parashtroi problematikën e fuqisë punëtore duke insistuar që koalicioni i ardhshëm qeveritar të marrë parasysh propozimin e OEMVP-së për rritje të pagës minimale në 30.000 den, dhe ulje të kontributeve në 32%, duke qenë se jemi shteti me kontribute më të larta në rajon, dhe një masë e tillë është e domosdoshme për të mbajtur fuqinë punëtore në vend.

Drejtori ekzekutiv potencoi rëndësinë e komunikimit midis akterëve relevant në shtet, pa marrë parasysh se kush do jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme dhe se sidomos pikat e përbashkëta të Platformave të palëve në fjalë duhet të trajtohen me seriozitet dhe të realizohen në tërësi dhe për të njëjtat të ketë konsistencë dhe konsensus nga të gjitha palët. Ai mes tjerash theksoi edhe disa pika kyçe si sjellja e mundësive më të mira për investitorët vendas, duke krahasuar mundësitë që kanë investitorët e huaj në RMV, me qëllim rritja e kapaciteteve të bizneseve për tu parapërgatitur për tregun e madh evropian në rast të EURO INTEGRIMEVE.

Nga anëtarët e OEMVP theks i veçantë u vendos edhe mbi mos zgjidhjen e statusit të Zonës së Vizbegut, e cila si zonë ka mbi 1 miliardë euro investime, mirëpo afaristët e kësaj zone operojnë në kushte të mjerueshme. Nga ana e Frontit u zotuan që Zona e Vizbegut do të jetë prioritet i tyre gjatë mandatit të ardhshëm dhe do të përkushtohen për zgjidhjen e problemit në fjalë.

Gjithashtu u theksua edhe situata alarmante e ekonomisë të cilën koalicioni Fronti Europian duhet ta ketë parasysh në periudhën vijuese duke filluar nga ajo më jetike e që është rritja dhe zhvillimi ekonomik, faktorin e resurseve njerëzore, rritje të pagave, nxitja e një konkurrueshmërie të shëndoshë të cilës i paraprinë kushte të denja dhe mirëfillta për zhvillim të afarizmit. U kërkua që  nga Qeveria e ardhshme çështjet e adresuara nga OEMVP tek Qeveria të shtrohen në tryezë të një platforme të përbashkët e cila do të synon zhvillim tejkalimin dhe eliminimin e barrierave ekonomike të vendit.

Nga Fronti theksuan se do të jenë të hapur për bashkëpunim dhe se platforma e tyre me OEMVP përmban disa pika të përbashkëta dhe se do të angazhohen për shqyrtimin e të njëjtave, ndërkaq u zotuan në krijimin e një klime të mirë për biznes.