02.05.2024, Shkup – Në hapësirat e OEMVP-së Kryetari z.Mendi Qyra, së bashku me Kryesinë e Odës mirëpritën në takim kryetarin e partisë të LSDM z.Dimitar Kovacevski, nënkryetarin z. Fatmir Bytyqin si dhe anëtarin e Këshillit qendror z. Filip Nikolovski.
Gjatë takimit u prezentua Platforma për Zhvillim Ekonomik e OEMVP, platformë e cila mbështetet në analizat e OEMVP-së me të cilat janë identifikuar nevojat reale të ekonomisë së vendit për të ruajtur dhe avancuar perspektivën ekonomike të vendit tonë. Si kërkesë e kryetarit Qyra ishte që kjo Platformë të inkuadrohet në programin e tyre politik, por edhe të zbatohet nga koalicioni i ardhshëm Qeveritar.
Kryetari i LSDM z.Dimitar Kovaçevski potencoi se një numër i konsiderueshëm i pikave të Platformës së OEMVP janë pjesë e programit të tyre Qeveritar, por që vizioni i tyre kryesorë është integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Nga LSDM gjithashtu theksuan që planifikojnë reforma në administratën publike për rritje të efikasitetit në nivelin e duhur.
OEMVP vazhdon me ngulm të kërkojë rritjen e pagës minimale në 30.000 denarë ndërsa paralelisht të ulen kontributet në 32% nga paga neto, dhe nga aty të fillojë përllogaritja e kontributeve të të gjitha pagave.
U bisedua edhe për asimetrinë mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, ku duhet të rishqyrtohet edhe njëherë sistemi i Agjencisë për punësim, ku nga 103 mijë kërkues të punës nuk mund të gjenden as 20.000 punonjës për sektorin privat, për të cilët ka shumë kërkesë.
OEMVP qëndron stoike në kërkesat e saja duke lobuar që këto kërkesa të shqyrtohen me seriozitet të plotë por edhe të zbatohen, sepse vetëm përmes partneriteteve mes gjitha palëve të interesuara mund të realizohen reforma konkrete në vend por mbi të gjitha të ndalon migrimi i të rinjve dhe kështu të krijohet një perspektive afatgjate për vendin tonë.






