OEMVP prezanton Platformën Ekonomike para Alternativës

17.02.2020, Shkup –  Partia politike Alternativa u mirëprit sot në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore nga nikoqiri z. Nebi Hoxha. Tradita e takimeve mes OEMVP-së dhe partive politike është duke vazhduar edhe në këtë periudhë. Lidhur me zhvillimet aktuale ekonomike në vend, OEMVP-ja çdoherë përgadit edhe platformë për zhvillim ekonomik të Maqedonisë së Veriut, e cila përmban 93 masa të ndara në 9 fusha kryesore. Disa nga këto fusha janë edhe: partneriteti i odave ekonomike me Qeverinë, reformat në institucionet publike dhe shtetërore, sektor stabil për zhvillim të biznesit, përfundimi i projekteve infrastrukturore, fuqia cilësore punëtore dhe të tjera.

OEMVP-ja gjithmonë ka ngritur si çështje kryesore në të cilat duhet vëmendje e menjëhershme dhe ato janë: dhënia e statusit të veçantë zonës së Vizbegut, ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, ndërtimit i terminalit doganor në Jazhincë, krijimi i rrjetit sekondar të gazit natyror në Maqedoninë Veri-Perëndimore dhe një sërë të propozimeve të tjera të cilat do të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik si dhe në mundësimin e kushteve më të mira të të bërit biznes. Poashtu, temë tjetër atraktive për të cilën OEMVP-ja aludon çdoherë është edhe zhvillimi i turizmit dimëror dhe veror në Kodrën e Diellit me standarde botërore dhe evropiane.

Nebi Hoxha tha se këto takime janë të një rëndësie të veçantë, për të diskutuar rreth problemeve me të cilat përballet sektori i biznesit. Bashkëpunimi mes bizneseve dhe qeverisë duhet të ngritet në një nivel më të lartë për çka OEMVP ka nënshkruar marrëveshje për dialog Publiko-Privat me Qeverinë.

Afrim Gashi u shpreh që bëhej fjalë për takim konstruktiv mes OEMVP-së dhe partisë Alternativa, kërkesat e OEMVP-së në Platformën Ekonomike për zhvillim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ka të gjitha pikat e ngjashme me programin politik të partisë Alternativa dhe së bashku me partnerin tonë të koalicionit do t’i shqyrtojmë ato dhe do të jemi në bashkëpunim të ngushtë dhe efikas me OEMVP-në.

OEMVP gjithmonë paraqitet konstruktive në kërkesat që i ka ndaj partive politike dhe gjithmonë do të kontribuojë në përmirësimin e klimës të të bërit biznes në vend.