OEMVP pjesëmarrëse në takime B2B me delegacionin e kompanive turke në Tiranë

Kryetari i OEMVP-së, z. Mendi Qyra, së bashku me përfaqësues të kompanive anëtare të OEMVP, morën pjesë në ngjarjen e organizuar nga Shoqata e Eksportuesve të Anadollit Lindor (DAIB) dhe Asambleja e Eksportuesve Turk (TIM), me mbështetjen e Ministrisë së Tregtisë së Turqisë.

Në këtë ngjarje, OEMVP u nderua me dhuratë simbolike nga organizatorët, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e vazhdueshëm institucional në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, meritë kjo e partneritetit të Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë me në krye Kryetarin e saj z. Nikolin Jaka. Ky moment u shoqërua me falënderime të ndërsjella, duke theksuar gatishmërinë e përbashkët për avancimin e marrëdhënieve tregtare dhe investuese.

Fokusi kryesor i ngjarjes ishin takimet B2B mes kompanive turke dhe kompanive vendase dhe të rajonit, ku OEMVP u përfaqësua me kompanitë anëtare të saj. Kompanitë i përkisnin sektorëve kyçe si ndërtimi, hekur-çeliku, industria ushqimore, trajtimi i ujërave, energjia elektrike dhe fusha të tjera me potencial zhvillimi.

OEMVP mbetet e përkushtuar në rolin e saj si urë lidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke kontribuar në krijimin e mundësive të reja bashkëpunimi ekonomik dhe promovimin e rajonit në tregjet ndërkombëtare.