Panairi i Karrierës në Universitetin e Tetovës bashkon studentët me biznesin – pjesëmarrës edhe Kryetari i OEMVP-së, z.Mendi Qyra

29.04.2025 – Universiteti i Tetovës organizoi Ditën e Hapur dhe Panairin e Karrierës, një ngjarje e rëndësishme që bashkoi studentë, kompani dhe përfaqësues institucional.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Mendi Qyra, i cili në deklaratën e tij për media theksoi:

“Ka një mungesë të ndjeshme të fuqisë punëtore në vend, kryesisht si pasojë e migrimit. Nga ky institucion i dijes, ne presim të dalin kuadro të përgatitura dhe të përshtatshme për nevojat e tregut të punës. Prandaj, shpresoj që bashkëpunimi ndërmjet arsimit dhe sektorit privat të vazhdojë edhe më fuqishëm në të ardhmen.”

Panairi i Karrierës solli së bashku kompani të shumta nga vendi dhe rajoni, duke prezantuar mundësitë e tyre për punësim dhe zhvillim profesional për të rinjtë.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e vazhdueshëm në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet arsimit dhe komunitetit të biznesit, Universiteti i Tetovës ndau mirënjohje për Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Ky vlerësim është dëshmi e rolit aktiv dhe të palëkundur të OEMVP-së në fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

OEMVP mbetet e përkushtuar për të mbështetur organizime që ndihmojnë në zhvillimin e mundësive profesionale për të rinjtë.