Pjesëmarrës në prezantim ishin përfaqësues të kompanive të ndryshme nga rajone të ndryshme, të cilët shfaqën interes të informohen rreth IPARD programit, thirrjes të ardhshme si dhe paraprakisht të jenë të parapërgatitur për programin e ri që do të shpallet nga viti 2015 e tutje.
Takimi mes përfaqësuesve të Agjencisë dhe sipërmarrësve duket se doli shumë produktiv. Afaristët patën rast t’i shprehin paqartësitë që kanë rreth procedurave dhe mënyrës të aplikimit për këto fonde, por dhe përfaqësuesit e Agjencisë nga ana tjetër dëgjuan drejtpërsëdrejti nga afaristët pjesën ku ata hasin më shumë probleme dhe diskutuan sëbashku rreth asaj se përse Republika e Maqedonisë për 5 apo 6 vite me rradhë nuk ka shfrytëzuar fondet totale që i janë ofruar si shtet paraderues në BE.
Në ditën e hapur u prezantuan tre masat apo nënkategoritë e posaçme të cilat i përmbajnë veprimtaritë apo pjesën ku individët ose personat juridik mund të aplikojnë. Ato masa janë masa 101 e cila përfshin investime në ekonomitë bujqësore për të ristrukturuar dhe përmirësuar standardet deri në arritjen e standardeve të Bashkimit Evropian, masa 103 e cila përfshin investime në përpunimin dhe marketingun e produkteve bujqësore me ristrukturimin dhe përmirsimin për arritjen e standardeve të Bashkimit Evropian dhe masa 302 diversifikimi dhe zhvillimi i aktiviteteve ekonomike rurale.
Thirrja e ardhshme pritet të dalë në fund të tetorit, ose në fillim të nëntorit, dhe është e hapur për të gjithë qytetarët.
Për më tepër informata të gjithë të interesuarit më gjerësisht mund të informohen edhe ne ueb faqen e Agjencionit: ipardpa.gov.mk




