Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot mbajti mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe Mbikqyrës, dhe në këtë takim në rend dite ishte Platforma për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë veri-perëndimore.
Në këtë platformë, janë të përfshira reformat në institucionet qeveritare, zvogëlimi i papunësisë, zhvillimi i biznesit përmes programeve të veçanta që do nxisin dhe mbështesin sipërmarrësinë, projekte të ndryshme infrastrukturore dhe nga fusha e energjetikës e tjerë.
Gjithashtu, këtu u diskutua edhe për zhvillimin e turizmit edhe në qytetin e Strugës në nivel të barabartë me atë të Ohrit dhe rëndësi të posaçme ju dha zhvillimit të turizmit dimëror në Kodrën e Diellit.
Mbrenda kësaj platforme, u përmendën edhe zonat e lira ekonomike, ku theks u vendos mbi ndërtimin e zonës për zhvillim teknologjik dhe industrial në Strugë, Kërçovë dhe Gostivar.
Në fund u diskutua edhe për pika tjera të ndryshme, në interes të anëtarëve të OEMVP-së.


