Home / Lajmet / Njoftime / Forumi “Strategjia energjetike, siguria dhe gazifikimi në Maqedoni dhe rajon”

Forumi “Strategjia energjetike, siguria dhe gazifikimi në Maqedoni dhe rajon”

  Forumi është organizuar nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup dhe Analytica, dhe u mbajtën tre tryeza të rrumbullakta me diskutime të adresuara për strategjinë energjetike, gazifikimin dhe sigurinë e energjisë.

  Forumi kishte për qëllim të bashkojë qeverinë e Maqedonisë, diplomatët, bizneset, akademikët dhe përfaqësues të shoqërisë që të diskutojnë çështjen e energjisë nga perspektiva gjeopolitike dhe ekonomike, në mënyrë që të thellojnë njohuritë e tyre mbi gjendjen aktuale në Republikën e Maqedonisë dhe në Ballkan, dhe të ndihmojnë në sqarimin e dinamikës  ekonomike dhe politike.

   Forumi ishte i ndarë në tre panele për Strategjinë rajonale të energjisë – Konceptet dhe sfidat, Gazifikimi në Maqedoni dhe në Ballkan – Politika, biznesi dhe infrastruktura dhe Siguria e energjisë në Maqedoni dhe Ballkan – Strategjia, diversiteti dhe planet.

  Fjalim përshëndetës kishte Sani Demiri, kryetari i Analytica, ambasadori i SHBA në Shkup z. Paul Wohlers dhe ambasadori i Delegacionit të Unionin Europian z. Aivo Orav.

  Në Panelin e parë diskutuan drejtori për zhvillim dhe investim i ELEM znj. Jasna Ivanova Davidoviq, përfaqësues i ambasadës së Serbisë, menaxheri gjeneral i Balkan Energy Group z. Mihail Scobioala, si dhe akademiku Gligor Kanevce.

  Në panelin e dytë, rreth problemit të gazifikimit në Ballkan, diskutuan kryetari i komunës së Strumicës z. Zoran Zaev, kryetari i Bordit Menaxhues të TE – TO, drejtori ekzekutiv i GA-MA dhe përfaqësuesi i Gazprom Export Macedonia.

  Në panelin e tretë ishte pjesëmarrës edhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, i cili bashkë me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë z. Arben Çejku dhe menaxherin gjeneral të MEPSO z. Sinisha Spasov dhe përfaqësuesin e atashesë ekonomike nga ambasada e Bullgarisë z. Dimitar Salov, diskutuan rreth sigurisë energjetike në vendin tonë dhe në Ballkan, duke u fokusuar në strategjinë, llojllojshmërinë dhe planprogramet e ndryshme.

  Kryetari i OEMVP-së z. Menderes Kuçi tha se strategjia energjetike është pjesë e një strategjie më të lartë ekonomike, dhe siguria, respektivisht stabiliteti energjetik paraqet parakusht për zhvillimin ekonomik, por ky zhvillim duhet të jetë rajonal. Pjesa perëndimore e Republikës së Maqedonisë mund të shërbejë si potencial zhvillimor dhe si urë lidhëse për bashkëpunim rajonal. Kryetari gjithashtu tha se, para se të orientohemi nga tregjet e mëdha, në radhë të parë duhet të shfrytëzohen tregjet kompatibile rajonale, sepse për bizneset duhet të ketë kushte të barabarta operimi në treg, duke përfshirë këtu edhe sferën energjetike.

  Kryetari z. Menderes Kuçi, është i mendimit se gjatë krijimit të strategjisë duhet të konsultohet edhe sfera akademike, por jo ajo e politizuar, dhe sigurisht që edhe bota e biznesit duhet të zë vendin e vet.