Gjatë takimit, Ministri njoftoi kryetarët e tre odave ekonomike me qëllimet e Ministrisë së Ekonomisë në drejtim të përmirësimit të klimës së bërjes së bizneseve, ku premtoi mbështetjen e tij të plotë në të gjitha fushat që janë nën kompetencat e tij.
Ministri shprehi pritjet e tij nga odat ekonomike, duke ua dhënë atyre detyrën e “krijuesve të drejtpërdrejtë të politikave ekonomike”. Ai propozoi që gjithë së bashku ta bëjnë detektimin e mungesave, hartimin e një Plani të Veprimit për mënyrën dhe kohëzgjatjen e zgjidhjes së të gjitha problemeve, duke i ftuar ata që ta shohin Ministrinë si një shtëpi e përbashkët, në të cilën gjithë së bashku do të veprojnë në drejtim të përmirësimit të ekonomisë në Republikën e Maqedonisë.
Ai u zotua për lobim dhe realizim të kërkesave të odave të cilat do të propozohen në mënyrë të argumentuar, dhe të cilat do të jenë reale dhe të zbatueshme.
Tre kryetarët e odave ekonomike, duke shprehur falënderimet e tyre për ftesën dhe përkrahjen e ofruar, kërkuan nga Ministri qartësimin e kushteve të cilat kompanitë e brendshme duhet t’i plotësojnë për të hyrë në zonat industriale zhvillimore.
Lidhur me çështjet për trajtim në periudhën vijuese, ata propozuan gjetjen e mënyrave për motivimin e qytetarëve për t’i investuar mjetet financiare të deponuara në bankat, shuma e përgjithshme e të cilave është përtej 4.3 miliardë euro, si dhe kohëzgjatja e procedurave gjyqësore.
Në bazë të propozimit të Ministrit, të gjithë ranë dakord që të mbahen takime të rregullta mujore, për t’i eliminuar të gjitha barrierat dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.


