“Objekti ‘C’ i Universitetit Nënë Tereza shpallet monument i kontributit të OEMVP-së: Arsimi dhe Fuqia Punëtore në fokus”

Sot më 27 Dhjetor 2023 e mërkurë, Kryetari i OEMVP-së z. Mendi Qyra, Drejtori Ekzekutiv dhe anëtarë të kryesisë së Odës ishin prezent në mbledhjen e fund vitit të Universitetit “Nënë Tereza”në Shkup.

Ftesës së Rektorit z. Izet Zeqiri, iu përgjigjën me pjesëmarrje edhe shumë figura relevante nga biznesi dhe bota akademike, ndërsa rektori Zeqiri, ndau mirënjohje për OEMVP-në dhe Kryetarin z. Mendi Qyra për kontributin e dhënë në ndërtimin e objekteve në hapësirat e kampusit të Universitetit.

Në fjalën e tij Kryetari Qyra u shpreh se OEMVP dhe anëtarësia e saj janë të gatshëm të kontribuojnë dhe të angazhohen në përmirësimin e çdo aspekti të arsimit, duke e parë kontributin e tyre si investim afatgjatë në krijimin e kuadrove adekuate dhe të kualifikuar. Ai gjithashtu u shpreh se OEMVP tani më i ka shpallur luftë migrimit të të rinjve sepse kjo dukuri negative e shoqërisë tonë, vazhdon të merr përmasa edhe më të mëdha, ndërkaq Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore do të angazhohet në krijimin e një klime më të mirë për biznes me çka do të mundësohet një standard më i lartë për fuqinë punëtore, ndërsa paralelisht institucionet akademike gjegjësisht Universiteti “Nënë Tereza” të kontribuojë në krijimin e kuadrove.

Nga OEMVP kontribuuan kompania Trim & Lum, Dauti Komerc, Euro Aktiva, ZSF KOM, Groteks Gradba, Makkos, Benton Ni dhe Renova.

Së bashku me Rektorin Zeqiri, Kryetari Qyra shpalosi edhe pllakatën e objektit “C” ku është shprehur edhe mirënjohja e Universitetit për kontributin e OEMVP-së në ndërtimin e së njëjtës.

OEMVP edhe vitet që vijojnë, do të vazhdon të promovon dhe të punojë për Arsimin dhe krijimin e fuqisë punëtore adekuate si shtyllë e çdo shoqërie dhe ekonomie.