Oda Ekonomike vazhdon traditën e mbajtjes së Sofrës së Iftarit
Me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe sivjet organizoi Sofrën e Iftarit, të begatuar me prodhime ushqimore të vendit, dhe të shoqëruar me ajrin e pastër dhe të freskët të malit Sharr, që bëjnë vetëm një pjesë të bukurive natyrore që ka vendi jonë.
Mysafirë të OEMVP-së në Sofrën e sivjetme të Iftarit ishin përfaqësues të të gjithë institucioneve me të cilat OEMVP-ja bashkëpunon gjatë vitit, kompanitë anëtare të OEMVP-së, si dhe përfaqësues të përfaqësive diplomatike, institucioneve shtetërore, komunave, odave ekonomike që veprojnë në Maqedoni, Bashkësisë Fetare Islame, bankave dhe mediave.
Sivjet Sofra e Iftarit e OEMVP-së u nderua dhe nga prezenca e vetë Presidentit të Republikës së Maqedonisë, z. Gjorge Ivanov.
“Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore tradicionalisht, tanimë për të katërtën herë po shtron Sofrën e Iftarit, në mënyrë që sadopak të solidarizohemi me ata që janë të uritur, kudo në botë, ata që nuk kanë se çfarë të vënë në sofrën e vet. Natyrisht se secili religjion monoteist ka mënyrat e veta të solidarizimit, ndërsa kjo është mënyra e Islamit – agjërimi gjatë ditës – për t’u solidarizuar me të uriturit, për ta përjetuar ndjenjën e tyre të urisë së vazhdueshme. Le të shpresojmë se Krijuesi jonë do të na i pranojë lutjet dhe ibadetet e bëra gjatë këtij Muaji të Shenjtë”. Oda Ekonomike ka ftuar bashkëpunëtorët e vet nga institucione të ndryshme, për t’i nderuar dhe për të ushqyer marrëdhëniet e mira, duke bërë bazë për bashkëpunim në të ardhmen” – rrumbullakësoi Kryetari i OEMVP-së, z. Menderes Kuçi fjalimin e tij, duke uruar mysafirët me një natë të këndshme, dhe duke i uruar me natë të këndshme dhe sofër të begatshme ata që nuk ishin të pranishëm në këtë sofër.
Pas shtrimit të Sofrës së Iftarit, përfaqësuesi i Bashkësisë Fetare Islame bëri lutje për begatimin e Sofrës së shtruar, si dhe për pranimin tek Krijuesi i gjithë veprave të mira të bëra gjatë këtij Muaji të Shenjtë.
OEMVP përzemërsisht falënderon sponsorët e vet për Sofrën e sivjetme të Iftarit:
· Stopanska Banka – Shkup
· Dauti Komerc – Shkup
· Tempo Profili 99 – Shkup
· Woodrow Wilson School – Tetovë
· Blero Sami – Gostivar
· ING-Luli – Strugë
· Ignacia Stil – Manastir
Ishte ky viti i katërt me rradhë që OEMVP organizoi Sofrën e Iftarit, duke e shndëruar këtë aktivitet tashmë në tradicional.
Comments are closed.