“Të ulen kontributet e pagave në 32% dhe të rriten kuotat e fuqisë punëtore nga jashtë në 10.000” – OEMVP takim me Ministren e Punës dhe Politikës Sociale

23.11.2023, Shkup – Në hapësirat e OEMVP Kryetari, Drejtori ekzekutiv dhe anëtarë tjerë realizuan takim pune me Ministren për punë dhe politikë sociale znj. Jovanka Trençevska.

Si tema të rendit të ditës nga ana e OEMVP-së ishte lufta kundër migrimit dhe fuqisë punëtore, ku kryetari Qyra prezantoi kërkesën e kahmotshme të OEMVP-së për uljen e kontributeve në nivel prej 32% nga paga neto, si një parakusht për rritje të pagave për punonjësit, kështu duke krijuar një perspektive afatgjate të qytetarëve në vend.

Gjithashtu, u prezantua edhe kërkesa e anëtarëve të Odës, për rritjen e kuotës së fuqisë punëtore të importuar nga jashtë, sepse mungesa e krahut të punës vazhdon të jetë problem për bizneset vendore, ndërkaq, limiti nga kuota prej 5000 në nivel vjetor, vazhdon të nxisë ekonominë gri dhe konkurrencën jo lojale, diçka që OEMVP është kategorike dhe e vendosur të luftojë të njëjtën.

Poashtu, u prezantua fakti që në rajon dhe më gjërë Republika e Maqedonisë së Veriut ka kontributet më të larta të pagave duke e bërë jo konkurruese edhe me shtetet fqinje, me çka edhe më tepër rrezikohet tregu jonë që të humbë fuqi punëtore tek shtetet e rajonit.

Nga ana tjetër, nga Ministria morën obligim që të shqyrtojnë kërkesat e OEMVP ndërsa njoftuan që në vitin 2024 do të ketë rritje të kuotave për punësim të personave të huaj si dhe  nga ana e Ministrisë për punë të jashtme dhe Zv. Kryeministrin për çështje ekonomike janë duke punuar për lehtësimin e procedurave.

Ndër tjerash, në këtë takim përfaqësuesit e OEMVP potencuan edhe rëndësinë e lartë të liberalizimit të tregut të fuqisë punëtore në rajon e cila do të siguronte një qasje më efikase administrative për gjetjen e punonjësve nga rajoni dhe anasjelltas.