Manifestimi “Sipërmarrësi i vitit” u mbajt për të 7 herë. Ai ka për qëllim avancimin e sipërmarrësisë në vend, përmes promovimit të ndërmarrjeve më të suksesshme mikro dhe të vogla në Republikën e Maqedonisë. Edhe krahas krizës ekonomike botërore që ndikoi në rritjen ekonomike të vendit, ekzistojnë shembuj të suksesshëm të sipërmarrësisë në Maqedoni që shënojnë rezultatet të dukshme.
“Sipërmarrësi i vitit” i identifikon pikërisht ata sipërmarrës, të cilët janë në hulumtim e sipër të mundësive dhe shfrytëzimin e atyre mundësive për krijimin e profitit, ndërmarrjen e rreziqeve dhe inovacioneve, të cilët kanë shkathtësi menaxheriale dhe janë të orientuar drejt rritjes së vazhdueshme dhe zhvillimit të ndërmarrjes.
Organizuesit kryesor të manifestimit për vitin 2013 ishin: Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe Fondacioni Zhvillimor Maqedonas për Ndërmarrje. Ko-organizator i ngjarjes është Qendra Nacionale për Inovacione dhe të Mësuarit e Sipërmarrësisë.
Mbështetës institucional dhe organizator i manifestimit është Ministria e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë.
Këtë vit çmimi i parë në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla i takoi pronarit të poliklinikës stomatologjike ENDOMAK nga Shkupi, z. Tome Taseskit, kurse në kategorinë e ndërmarrjeve mikro, si sipërmarrës më i mirë i vitit 2013 u zgjodh z. Islam Ramizi pronar i kompanisë ndërtimore MONTEKO nga Tetova.
Çmimin e dytë në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla e fitoi pronari i agjencionit turistik JK Travel z. Goran Joshevski, kurse çmimin e dytë z. Blagoja Samakoski, pronar i Institutit për kompozitë bashkëkohore dhe robotikë nga Prilepi.
Fituesit e çmimeve të para në të dy kategoritë morrën nga një statujë të artë dhe vauçer në vlerë prej 50.000 denarë për aktivitete marketingu. Kurse, çmimet e dyta fituan statuja të argjendta dhe vauçer me vlerë prej 25.000 denarë.



