Në vazhdën e aktiviteteve të bashkëpunimit ndër-institucional pas firmosjes së Marrëveshjes së bashkëpunimit në mes Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe komunës së Bujanocit me datë 27 Maj 2013, OEMVP e përfaqësuar nga Zëvendës drejtori z.Arben Halili dhe udhëheqësi i sektorit z.Reshat Nagavci morri pjesë në Panairin e gjashtë ndërkombëtar të Produkteve të ndryshme dhe potencialeve investive në Bujanoc, në cilësinë e mysafirit të nderit të komunës së Bujanocit.
Panairi u mbajt gjatë datave 27–29 Maj 2013 në Qendrën sportive “Rinia” në Bujanoc, i cili u organizua nga komuna e Bujanocit, përmes Zyrës për zhvillim ekonomik lokal dhe institucionet tjera publike, ku themelues është komuna e Bujanocit.
Përveç Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, në panair të ftuara ishin dhe Odat tjera Ekonomike, si ajo e Serbisë, Kosovës OEK dhe Dhoma e tregëtisë dhe industrisë nga Tirana, si dhe përfaqësues të organizatave donatore që veprojnë në vend, përfaqësues të ambasadave në Beograd, përfaqësues të ministrive dhe agjencioneve të ndryshme shtetërore të Serbisë.
Kompanitë pjesëmarrëse në panair patën mundësinë të ekspozojnë prodhimet e tyre, si dhe të vendosin kontakte afariste, duke ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin rajonal mes shteteve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor.
Përveç panairit u organizuan edhe aktivitete tjera kulturore në sheshin qendror të Bujanocit. Gjithashtu, për mysafirët e nderit, u organizua një shetitje të vendeve me rëndësi për komunën e Bujanocit (Muzeu dhe Lokacoenet Arkeologjike,pasurit natyrore dhe vendet turistike).


