OEMVP në vizitë tek odat partnere në Kosovë

Më 1 Shkurt 2023, Kryetari Mendi Qyra së bashku me kryetarin e Forumit Ekonomik Mbarë Shqipëtar z. Nagib Fejzi me përfaqësues tjerë të bordit dhe të zyrës ekzekutive të OEMVP, ishte në vizitë në Kosovë tek odat partnere.

Takimet filluan tek Dhoma e tregtisë dhe industrisë Kosovë, ku u mirëpritën nga Kryetari z. Skender Krasniqi dhe përfaqësues tjerë të bordit. Përgjatë këtij takimi u diskutuan sfidat e shumta të përbashkëta të cilat bizneset e RMV-së dhe të RKS-së i hasin në përditshmërinë e tyre, si dhe u fol mbi atë se si odat në bashkëpunim me njëra tjetrën mund të ndikojnë në eliminimin e të njëjtave.

Nisur nga kjo, delegacioni i OEMVP-së vazhdoi në realizimin e takimit të dytë në agjendë me Aleancën Kosovare të Bizneseve, ku u mirëpritën nga kryetari i saj z. Agim Shahini si dhe përfaqësues tjerë të trupit udhëheqës të AKB-së.
Kryetari Qyra në këtë takim potencoi se potenciali i shkëmbimit tregtar mes dy vendeve është larg realizimit të plotë, dhe se duhet të punohet në drejtim të maksimizimit të saj përmes eliminimit të barrierave të cilat pengojnë një bashkëpunim të fuqishëm ekonomik mes dy vendeve.

Më pas vijoi takimi me Klubin e prodhuesve të Kosovës, ku OEMVP dhe kryetari Qyra u mirëpritën nga Kryetari Berat Mustafa.
Në theks të veçantë u vënë bashkëpunimet e ndërsjella mes dy vendeve si dhe zgjidhja e problemeve të fuqisë punëtore, liberalizimi i tregut të punës por edhe lufta kundër ikjes masive të të rinjve nga vendet respektive.

OEMVP vazhdon të mbajë partneritetin me institucionet relevante shqiptare në rajon, duke e konfirmuar qasjen e saj të zhvillimit paralele të shoqërive tona si parakusht për Euro Integrime.