Anëtari i Këshillit Drejtues dhe koordinator i grupacionit të ndërtimtarisë, urbanizmit dhe mjedisit dhe energjetikës të OEMVP-së, z. Sami Morina, mori pjesë në ceremoninë solemne për nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët të Qëllimit për promovimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet MPJTJ të RMV dhe Ministrisë Federale të Punëve Ekonomike dhe Energjetikës të Republikës Federale të Gjermanisë.
Ceremonia u mbajt në ambientet e Ministrisë Federale për Ekonomi dhe Energji në Berlin, ndërsa të pranishëm në takimin e punës ishin përfaqësues të lartë qeveritar nga të dy vendet, si dhe përfaqësues të Odave ekonomike. Takimi shërbeu për krijimin e Komitetit të Përbashkët Drejtues Ekonomik (JESCO).
Ky dokument strategjik vendos themelet për një kornizë gjithëpërfshirëse për promovimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dypalëshNë këtë kontekst, u theksua rëndësia e avancimit të marrëdhënieve ekonomike pas zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e nënshkruar në vitin 2001, si dhe u rikujtua statusi i Republikës së Maqedonisë së Veriut si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2005. Palët vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme të vendit për përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit, si bazë për integrimin e mëtejshëm evropian.
Energjetika mbetet një nga fushat prioritare të OEMVP-së, me fokus të veçantë në kontributin aktiv në proceset e hartimit dhe avancimit të Ligjit për Energjetikë dhe Ligjit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë.






