Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore uron Kryeparlamentarin z. Gashi. Synohet thellimi i bashkëpunimit në favor të sektorit privat.

02.07.2024 – Shkup, Në hapësirat e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut u zhvillua takimi mes kryesisë së Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Kryeparlamentarit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryetari z. Mendi Qyra bashkë me kryesinë e OEMVP dhe Drejtorin Ekzekutiv, u mirëpritën në takim nga Kryetari i Parlamentit të RMV z. Afrim Gashi. Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit midis sektorit privat dhe Kuvendit si bartës i pushtetit ligjvënës në vend.

Diskutimet u përqendruan në çështjet kyçe që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit, si dhe në mënyrat se si legjislacioni mund të mbështesë bizneset dhe iniciativat ekonomike. Kryetari z. Qyra theksoni se duhet të punohet në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit në vend, përmes përmirësimit të kornizës ligjore me qëllim që të arrihet rritje dhe zhvillim ekonomik i vendit tonë.

Gjatë takimit, Kryeparlamentari z. Gashi shprehi mbështetjen e tij të plotë për nismat që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit përmes miratimit dhe ndryshimit të legjislacioneve që prekin sektorin real të biznesit.

Kryetari i OEMVP z. Qyra falënderoi Kryeparlamentarin për mbështetjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke nënvizuar se ky bashkëpunim është thelbësor për të arritur qëllimet e përbashkëta për mirëqenien ekonomike dhe atë të qytetarëve të vendit.