Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore përshëndet hapjen e pikës kufitare me sistemin “One Stop Shop”

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore përshëndet hapjen e pikës kufitare me sistemin “One Stop Shop” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe lehtësimit të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave. Ky projekt është një dëshmi e fuqisë së kapitalit njerëzor dhe vullnetit politik për të ndërtuar ura bashkëpunimi që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e klimës afariste.
Me këtë rast, urojmë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski, për këtë arritje të përbashkët që përçon një mesazh të qartë për të ardhmen që vetëm përmes projekteve të përbashkëta strategjike mund të forcojmë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në vendet tona dhe në rajon.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mbetet e përkushtuar të mbështesë çdo iniciativë që nxit integrimin ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve tona.
Kujtojmë se OEMVP ka kërkuar që kjo reformë të bëhet sa më parë, me qëllim të intensifikimit të qarkullimit më të lehtë të mallrave dhe qytetarëve. Tani është koha që qeveria të realizon autostraden Bllacë Shkup, dhe se OEMVP do jetë partnere në këto iniciativa zhvillimore.