Zhvillohet takim mes OEMVP dhe Prishtina REA – Në fokus bashkëpunimi për ndërlidhje të bizneseve

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Mendi Qyra, priti në takim Drejtorin e Prishtina REA, z. Ahmet Jetullahu dhe z. Blerim Zllatku, për të diskutuar mundësitë për bashkëpunim me qëllim të ndërlidhjes së kompanive anëtare në aktivitetet e tyre.

Gjatë takimit, z. Jetullahu prezantoi punën dhe aktivitetet e ardhshme të Prishtina REA, duke theksuar përfshirjen e kompanive ndërkombëtare dhe mundësitë që ofrohen për ndërmarrësit në rajon. Ndërsa, nikoqiri z. Qyra shprehu gatishmërinë e OEMVP-së dhe të kompanive anëtare për të qenë pjesë aktive në këto iniciativa të rëndësishme për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik.

Në takim u diskutua ngjarja rajonale B2B – “Balkonnect Festival 2025”, e cila organizohet nga Prishtina REA në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Rrjetin Evropian të Ndërmarrjeve, që do të mbahet më 23-24 maj 2025.

Në këtë drejtim, u nënshkrua edhe një Letër Qëllimi për Bashkëpunim ndërmjet OEMVP dhe Prishtina REA, me synim forcimin e lidhjeve ndërkombëtare, promovimin e sektorit privat, nxitjen e investimeve dhe inovacionit, si dhe krijimin e një qasjeje të strukturuar dhe afatgjatë drejt bashkëpunimit ekonomik rajonal.

OEMVP fton të gjitha bizneset anëtare dhe të interesuara që të shfrytëzojnë këtë mundësi të vlefshme për zgjerimin e bashkëpunimeve, krijimin e rrjeteve të reja profesionale dhe fuqizimin e prezencës së tyre në një atmosferë tërësisht të orientuar drejt ndërmarrësisë dhe inovacionit.