Konferenca përfundimtare e projektit “Arsim, punësim dhe barazi për gratë e bashkësive etnike”

  Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore më datë 04 Shkurt 2014 realizoi Konferencën përfundimtare të projektit “Arsim, punësim dhe barazi për gratë e bashkësive etnike”, të cilin e ka implementuar në partneritet me Shoqatën për zhvillim lokal rural dhe Agjencionin rajonal për zhvillim Senec – Pezinok nga Sllovakia.

  Në këtë konferencë, të ftuar ishin edhe kryetari i OEMVP-së z. Menderes Kuçi, përfaqësues nga Delegacioni Evropian z. Martin Klaucke, kryetari i komunës së Bërvenicës z. Enver Pajaziti, sekretari shtetërorë nga Ministria për punë dhe politikë sociale z. Muedin Kahvexhi, znj. Lindita Qazimi drejtoreshë e Qendrës për Arsim të të rriturve dhe znj. Qanije Selimi, menaxhere e Qendrës Edukative për fëmijë parashkollorë REA nga Tetova.

  Kryetari i OEMVP-së përshëndeti mysafirët e pranishëm, duke thënë se “Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka marrë disa iniciativa për fuqizim in e grave në biznes. Përmes iniciativave synon të rrisë numrin e bizneseve të themeluara nga femrat, të rrisë ambiciet e ndërmarrëseve për të zgjeruar bizneset e tyre dhe të inspirojë më shumë femra që të bëhen udhëheqëse të bizneseve. Kjo çështje shpesh është trajtuar në shumë institucione nga më të ndryshmet, qoftë të karakterit arsimor apo social, gjithmonë ka pasur konstatim se gjinia femërore duhet të aktivizohet më shumë, por jo shpesh herë është bërë që kjo të bëhet realitet. OEMVP duke u falemendëruar institucioneve ndërkombëtare dhe në veçanti BE-së, e cila shprehu gatishmëri që edhe financiarisht të ndihmon këtë projekt, jemi dëshmitarë të asaj që jep rezultatet e veta dhe me plot kuptimin e fjalës mburremi sepse shpirti ndërmarrës nuk është vetëm te meshkujt, por edhe te një kategori e grave të cilat shpesh janë ndjerë si kategori e dorës së dytë. 

  Kryetari i komunës së Bërvenicës z. Enver Pajaziti, në fjalimin e tij shprehu gatishmërinë për bashkëpunim duke ofruar të gjithë kapacitetet e tyre, si dhe përkrahjen maksimale në të gjitha aktivitetet e ardhshme, duke cekur se ato vazhdimisht kanë punuar në drejtim të sigurimit të mekanizmave dhe vlerave për mundësitë e barabarta mes grave dhe burrave dhe se intenzivisht punojnë në realizimin e projekteve të ngjashme, si dhe në funksionimin e biznes inkubatorit në komunën e Bogovinës.

  Edhe znj. Lindita Qazimi, prezantoi përvojat e Qendrës për Arsim të të rriturve me projektet e ngjashme të financuara nga Bashkimi Evropian, me shpresë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi i mirë me OEMVP-në.

  Menaxheri i projektit, znj. Fatima Bejtullai Vela foli për synimet dhe arritjet e projektit duke prezantuar të gjitha aktivitetet e realizuara në kuadër të projektit. Ajo tha se “Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore gjithmonë ka qenë e përkushtuar të mbështesë ndërmarrësinë dhe inovacionin në mënyrë që vendi jonë të ketë sa më shumë biznese të suksesshme të udhëhequra nga gratë, që janë të qëndrueshme në tregun vendor.” Gjithashtu, më tej ajo shtoi se “gjatë punës me gratë arritëm në përfundim se nuk ka shumë pengesa formale që femrat të jenë sipërmarrëse ose në pozita udhëheqëse në ndërmarrje, sepse ne pamë se ato me aftësitë e tyre mund ti japin shumë kësaj shoqërije, dhe u dëshmua se në disa raste madje janë edhe më të afta se meshkujt”, dhe për të dëshmuar këtë, e ftuar ishte edhe znj. Qanije Selimi nga Qendra Edukative për fëmijët parashkollorë REA, e cila iu drejtua të pranishmive me një fjalim motivues për suksesin e saj si një menaxhere e kësaj qendre.  “Filloni te beni ate qe deshironi, ky eshte edhe mesazhi im. Une e kam filluar te bej punen qe e dua. E kam patur si ide prej gati 5 vitesh. Por u realizua vetem athere kur une vendosa dhe fillova ta realizoj” – tha znj. Selimi.

 

  Në fund u shtrua edhe një koktel për mysafirët.


                                                                                                
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore Shoqata për Zhvillim Lokal Rural

Agjencioni për Zhvillim Regjional Senec – Pezinok

 

 Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Evropian                                     

 

 

 This document has been produced with financial assistance of the Europian Union. The contents of this document are the sole responsibility of Economic Chamber of North-West Macedonia and can no under no circumstances be regarded as reflecting the position of the European Union.

Comments are closed.