Forumi Sparks 2024: Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor

Forumi Sparks 2024 është ngjarja kryesore për të gjithë ata që janë të përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Mbajtur nën mbështetjen e UNMIK, ky forum mblodhi së bashku liderët e ndryshëm të fushave të politikës, biznesit, arsimit dhe shoqërisë civile për të diskutuar dhe formuluar strategji për të ardhmen.
Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, z. Durim Zekiri, ishte i ftuar si panelist në panelin me temë “Paqe përmes ndërlidhjes dhe zhvillimit”. Gjatë fjalimit të tij, z. Zekiri theksoi rëndësinë e lidhjes së mirëfilltë infrastrukturore mes vendeve fqinje si një parakusht për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik. Ai potencoi se pa një infrastrukturë të fortë dhe të ndërlidhur, progresi ekonomik dhe tregtar midis vendeve të Ballkanit Perëndimor është i pamundur.
 
Z. Zekiri gjithashtu theksoi nevojën për harmonizimin e legjislacioneve në rajon. “Për të lehtësuar bashkëpunimin dhe për të krijuar një treg të përbashkët, është thelbësore që vendet tona të harmonizojnë legjislacionet e tyre”, e cila do të mundësojë një shkëmbim më të lehtë tregtar dhe do të eliminojë pengesat që aktualisht ndalojnë zhvillimin e një tregu të përbashkët dhe të integruar.
 
Poashtu Drejtori Ekzekutiv diskutoi mbi rëndësinë e shkëmbimit tregtar dhe të fuqisë punëtore. Ai theksoi se një treg i hapur dhe fuqizimi i lëvizjes së lirë të fuqisë punëtore do të çojë në një rritje ekonomike më të shpejtë dhe në një përmirësim të ndjeshëm të mirëqenies së qytetarëve në të gjithë rajonin.
Gjithashtu, në panel ishte edhe Kryetari i Forumit ekonomik Mbarëshqiptar z. Nagib Fejzi, i cili në fjalën e tij potencoi që energjitë duhet të fokusohen tek brezat e rinj, duke i mentoruar dhe përkrahur drejtë tejkalimit të barierave të cilat pengojmë bashkëpunimin regjional.
 
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore është një aktor kyç në promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në krijimin e mundësive për bizneset vendase që të zgjerohen dhe të zhvillohen. Përmes aktiviteteve të saj, Oda mund të ndihmojë në zbutjen e barrierave tregtare dhe në krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin ekonomik rajonal.