Fjala e kryetarit z. Nebi Hoxha- OEMVP Lokomitivë e promovimit dhe mbrojtjes së biznesit

Organizatat dhe institucionet, secila në brendësinë e vet është e veçantë në bazë të asaj që ata janë përcaktuar të veprojnë duke i’a shtuar këtu edhe arsyet e vetë ekzistimit të tyre. OEMVP që nga themelimi i saj në 2005, për pesëmbëdhjetë vite rresht mësoi shoqërinë se si shënohet rritje e pandërprerë kur mbi supe bart mision gjithëpërfshirës të dëlirë.

Biznesi shqiptar në vendin tonë është shembull unik jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por rrezet e saja të tipit të veçantë i tejkaluan kufinjtë gjeografik që për shumë ishte dhe mbetet frymëzim. Duke pasur parasysh rrethanat kohore sociale dhe ekonomike, marrë këtu edhe ato politike, biznesi shqiptar në të asokohshmet Jugosllavi dhe Maqedoni, i ishte nënshtruar trajtimit jo të drejtë të tregut selektiv me standarde të dyfishta. Përderisa shumë biznese të sotme të cilat në ato periudha kaluan tranzicionin e privatizimit, ne sot mburremi me të arriturat e kompanive tona që janë hiç më pak se një rezultat i sakrificës dhe punës të pandalë karshi të gjitha pengesave dhe hileve me të cilat u përballëm asokohë.

Kur biznesi shqiptar filloi të merrte përpjetëzën por edhe dimenzionin që i takonte shumë më parë, atëherë ngjalli ideja dhe dëshira që të krijohet një institucion i cili do të jetë kujdestar dhe udhërrëfyes për bizneset e vendit dhe viti 2005 ishte pikërisht ai vit kur edhe ndodhi krijimi i institucionit të tillë. Në skenën e biznesit u paraqit Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore i cili u mbështet kryesisht nga bizneset shqiptare të vendit, kështu duke dhënë mesazhin se bizneset tona po organizoheshin fuqishëm me synim për t’i marrë ato të drejta dhe privilegje që u takonin, nga të cilat më herët ishin privuar. Promovimi i veprimtarisë tonë bëri jehonë dhe shumë shpejtë OEMVP u bë sinonim i asaj që dikur ishte mit e që është “Institucion i mirëfilltë relevant i Shqiptarëve në Maqedoni”. Aktivitetet, lobimi si dhe ndikimi i Odës në vend, në vendimmarrjet politike që tangojnë biznesin, filluan të jenë pjesë e përditshmërisë në opinion. Shumë ligje dhe akte nënligjore u ndikuan dhe pësuan ndryshime si rezultat i punës së Odës në kuadër të punës së ndihmës ndaj biznesit, dhe bizneset shqiptare në vend tashmë e kanë një adresë ku mund të trokasin për ndihmë dhe përkrahje.

Marrja e timonit të udhëheqësisë si kryetar nga ana ime, paraqiti një privilegj dhe nder që mu dha nga anëtarët dhe këshilli drejtues. Nuk është e lehtë të jesh pasardhës i dy kryetarëve shumë të suksesshëm siç është rasti me z. Xhemail Dautin dhe z. Menderes Kuçin. Bara dhe përgjegjsia e cila më ra mbi supe ishte e rëndë ngase vetë zanafilla e Odës ishte në një mënyrë e shenjtë dhe themelimi i saj u bë thjeshtë për të drejta dhe interesa kolektive biznesore që atëherë, sot por edhe në të ardhmën do të vazhdojnë të mbesin të njejta.

Sot Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore përfaqëson rreth 2000 biznese të cilat vijnë nga të gjitha sektoret dhe kategoritë, nga të gjitha rajonet e vendit e sidomos nga viset me shumicë etnike shqiptare por me tendenca gjithëpërfshirëse pa anashkaluar askend. Lokomotivë e promovimit të biznesit por edhe e mbrojtjes, e stimulimit, e përmirësimit të kahjes ekonomike të vendit.

Në kuadër të veprimtarisë tonë, thërrasim të gjitha bizneset pavarësisht sektorit, madhësisë dhe veprimtarisë t’i bashkangjiten karvanit të OEMVP-së. Të rritemi si biznese dhe paralelisht si institucion në mënyrë që të realizohet vizioni yne si afaristë por edhe përmbushjen e përgjegjësisë tonë si biznes karshi shoqërisë.

Ky vit, është vit jubilar për Odën sepse paraqet 15 vjetorin e krijimit të institucionit tonë, ndërsa gjitha këto vite janë dhe do ngelen memoar që do të dëshmojnë për sukseset e rezultatet që erdhen nga sakrifica e bërë nga të gjithë Anëtarët e Odës, andaj pa hezitim dua të shpreh mirënjohjet e mia dhe t’u falënderohem themeluesve për vullnetin e mirë, vullnet i cili e solli Institucionin në këtë stad ku sot  gjindet.

Dua të falenderoj anëtarësinë për besimin e dhënë që unë të vazhdoj edhe me një mandat të kryetarit, duke iu siguruar atyre që edhe ky mandat do jetë i suksesshëm dhe i frytshëm. Dua të shpreh falënderimet e mia edhe për stafin ekzekutiv të Odës në krye me Drejtorin Drilon Iseni, të cilët nuk kursyen asgjë nga energjia dhe koha e tyre për Odën, e që njëashtu u përgjigjen çdo thirrjeje dhe nevoje tonën me entuziazmin më të lartë.

“U testuam me padrejtësi me qëllim të zbulimit të dobësive tona, rezultoi me zbulim të forcës dhe besimit që ishte nën rrënojat e neglizhencës”.

Urime 15 Vjetori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore

Kryetari Nebi Hoxha.