” Dauti-Komerc”- 30 vite sukses
Kompania e njohur e distribuimit të mallrave të konsumit të gjerë “Dauti-Komerc” shënoi 30-vjetorin e themelimit të saj.
E themeluar para 30 viteve në fshatin Bojanë, “Dauti-Komerc”, sot është një konglomerat i fuqishëm biznesi, i pranishëm në 4 shtete të Ballkanit, me mbi 800 të punësuar, me furnizues nga 82 shtete të Botës dhe në mesin e 50 kompanive më të fuqishme në Maqedoninë e Veriut. Të gjithë resurset njerëzore të kompanisë i bashkon vizioni, parimet dhe vlerat e njëjta.
“Dauti-Komerc” sot disponon me qendra të sofistikuara të distribuimit në Saraj të Shkupit, me një hapësirë prej mbi 22.000 metrash katrorë, në Tetovë me 3.000 metra katrorë, në Strugë me 1.500 metra katrorë, në Durrës (Shqipëri) me 3.000 metra katrorë, në Ferizaj (Kosovë) me 15.000 metra katrorë dhe në Podgoricë (Mal të Zi) me 5.000 metra katrorë. Kompania simotër “Dauti Transport-Shped”, e shtrirë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, ka një flotë prej 60 kamionësh dhe 11 zyra të shërbimeve të shpedicionit.
Të gjithë këto qendra të distribuimit funksionojnë me standarde bashkëkohore ndërkombëtare (ISO, HACPP, HALLALL, etj) dhe me teknikën më moderne të menaxhimit, monitorimit, ruajtjes dhe transportit të mallrave të konsumit të gjerë, me të vetmin qëllim, të mos ketë ngecje në zinxhirin e furnizimit të konsumatorit.
Zyra qendrore e tërë konglomeratit “Dauti” është e vendosur në Saraj të Shkupit, me hapësirë administrative prej 4.500 metrash katrorë.
Strategjia për mbulimin e të gjithë tregut me të gjitha prodhimet, po zbatohet një kohë të gjatë nga menaxhmenti i “Dauti-Komercit”. Për këtë qëllim kompania ka një organizim që mundëson menaxhim korporativ konform strategjisë së sajë dhe nevojave të tregut.