Kryetari i OEMVP, z. Mendi Qyra, vizitë zyrtare Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Mendi Qyra, zhvilloi vizitë zyrtare në Ambasadën e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga Ambasadori, Shkëlqesia e tij z. Denion Meidani. Takimi u mbajt me qëllim të shqyrtimit të mundësive për të forcuar dhe thelluar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë diskutimit, të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën ekonomike dhe mundësinë e krijimit të projekteve të përbashkëta që do të kontribuonin në zhvillimin ekonomik të të dy vendeve. Ambasadori z. Meidani u shpreh se Ambasada e Shqipërisë është e gatshme për të ofruar mbështetjen e plotë në avancimin e projekteve që do të përmirësojnë lidhjet ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, Kryetari i OEMVP, z. Qyra, theksoi se OEMVP është gjithashtu e përkushtuar për të promovuar dhe zhvilluar marrëdhëniet ekonomike mes bizneseve të të dy vendeve, duke shërbyer si një platformë për ndërlidhjen e biznesmenëve shqiptarë dhe atyre nga Maqedonia e Veriut.
Në këtë takim u vlerësua gjithashtu edhe rëndësia e rritjes së bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të nxitur zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në të dy vendet. Të dyja palët u pajtuan se dialogu dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm janë thelbësore për realizimin e qëllimeve të përbashkëta.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të lidhjeve ndërmjet institucioneve ekonomike të të dy vendeve, ku përmes dialogut të hapur dhe shkëmbimit të përvojave, synohet të forcohen rrugët e integrimit dhe prosperitetit të ndërsjellë ekonomik.