Kompanitë e OEMVP-së në skenën ndërkombëtare të ndërtimit në Stamboll
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vazhdon të jetë urë lidhëse për ndërkombëtarizimin e bizneseve vendore. Këtë javë, OEMVP po përfaqësohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të ndërtimit – Yapı – Turkeybuild Istanbul, një panair 4-ditor që zhvillohet në Stamboll, Turqi dhe që prej vitit 1978 shërben si pikë takimi për profesionistët e industrisë ndërtimore nga rajoni dhe më gjerë.
Në këtë panair janë të pranishme dy kompani anëtare, Pluska Kompani dhe Gradis Koo, të cilat po prezantojnë veprimtarinë dhe produktet e tyre, po eksplorojnë mundësi bashkëpunimi, hyrje në tregje të reja dhe partneritete strategjike në një ambient dinamik dhe profesional.
Panairi mbledh aktorë kryesorë të industrisë nga Turqia, Ballkani, Afrika Veriore, Lindja e Mesme dhe Rusia, dhe ofron një platformë ideale për prezantimin e risive dhe zhvillimin e bizneseve në sektorin e ndërtimit.
OEMVP organizon dhe asiston pjesëmarrjen e kompanive anëtare në panaire ndërkombëtare, me qëllim që të mbështesë rritjen e kapaciteteve eksportuese, nxitjen e inovacionit dhe fuqizimin e pozicionit të tyre në tregun global.