Tryezë e rrumbullakët për hartimin e platformës ekonomike
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mbështetur në strategjinë zhvillimore të saj dhe njëkohësisht në misionin e vet, për prioritet e ka identifikimin e kushteve të ndryshme zhvillimore dhe njëkohësisht ofrimin e shërbimeve cilësore dhe në kohë ndaj anëtarësisë së vetë dhe të gjithë palëve të interesuara. Poashtu një prioritet thelbësorë është edhe identifikimi i mundësive konkrete për zhvillim të barabartë rajonal në Maqedoni.
Nisur nga kjo, OEMVP sot në Qendrën e Biznesit pranë UEJL në Tetovë, organizoi tryezë të rrumbullakët mbi hartimin e një platforme për zhvillim ekonomik të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Pjesëmarrës të tryezës së rumbullakët ishin z. Menderes Kuçi, Kryetar i OEMVP-së, z. Fatmir Besimi, zv.kryeministri për Çështje Evropiane, z. Abdylaqim Ademi, Ministër i mbrojtjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Prof Dr. Nasir Selimi, z. Ahmed Qazimi udhëheqësi i sektorit për veprime publike në komunën e Tetovës dhe Z-ri. Hashim Rexhepi, Drejtor Ekzekutiv i Albsig në Maqedoni.
Fillimisht kryetari i OEMVP-së falamendëroi mysafirët e ftuar për prezencën e tyre në tryezën sot për të diskutar disa aspekte që OEMVP-ja i ka vërejtur si të nevojshme, si për shembull reformat institucionale, infrastruktura dhe shumë çështje tjera të rëndësishme për zhvillimin e një vendi. Ai tha se, nuk mund të konkurojmë në tregjet globale nëse nuk jemi të barabartë, ngase nëse një pjesë e trupit nuk funksionon, i gjithë trupi çalon. Të gjitha konkluzionet nga kjo tryezë në formë të shkruar do të distribuohen deri tek të gjitha subjektet relevante, sepse Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore gjithmonë ka qenë si lokomotivë e zhvillimit ekonomik të Republikës së Maqedonisë.
Pasi Drejtori Ekzekutiv z. Arben Halili prezantoi panelistët, fjalën e rradhës e morri Prof.Dr. Nasir Selimi, i cili nga aspekti shkencor dha këndvështrimin e tij në këtë drejtim, duke përmendur disa faktorë ekonomik, si për shembull remitancat që mbulojnë deficitin e buxhetit, si burime jostabile dhe jo të qëndrueshme, dhe si tregues që ekonomia e vendit nuk është ashtu si duhet të jetë. Sipas tij, në Republikën e Maqedonisë nuk kemi ekuilibër në mes eksportit dhe importit, dhe kjo reflektohet edhe në sektorët tjerë, e veçanërisht në bizneset e vogla të cilat janë pjesa më vitale e ekonomisë së një vendi, sepse pa zhvillimin e tyre nuk mund të ketë zhvillim edhe vetë ekonomia. Si faktorë tjerë që ndikojnë, përmendi edhe numrin e madh të të papunësuarve, i cili sipas tij është brengosës.
Zëvendës kryeministri për çështje evropiane z. Fatmir Besimi, theksoi se ky takim është shumë i rëndësishëm dhe se konkluzionet nga ky takim do të inkorporohen edhe në platformën ekonomike të tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke përmendur disa aspekte në drejtim të të cilave janë duke punuar, si për shembull përmirësimi i standardit/cilësisë së jetesës të të gjithë qytetarve, duke theksuar këtu se papunësia në vitet e fundit ka pasur një trend rrënës dhe se nga 38% tani është në nivel 28,4 %, por është akoma shumë e lartë, dhe se decentralizimi ka pasur ndikim pozitiv në zhvillimin e ekonomisë lokale. Z.Besimi gjithashtu përmendi rritjen e bashkëpunimit dhe këmbimit tregtar edhe me vendet fqinje, ku mes tjerash tha se bashkëpunimi me shtetet fqinje si Shqipërija dhe Kosova është rritur për më shumë se 10 herë, ngase me herët ka qenë vetëm 15 milionë euro, e tani kjo vlerë është rritur në 150 milionë euro, dhe akoma vazhdon të rritet.
Prof. Dr. Vullnet Palloshi, në prezantimin e tij veçoi disa aspekte në të cilat, sipas tij, duhet të fokusohet dhe të punojë qeveria e Republikës së Maqedonisë, edhe atë në: formimin e grupeve punuese nga ekspertë të fushës së infrastrukturës në kuadër të Ministrisë së Transportit dhe lidhjeve, për përgatitjen e një plani afatshkurtë të Planit Hapësinor të Republikës së Maqedonisë, aktualizimi i idesë për kalimin kufitar Qafathanë – Radozhda me rindërtim të edhe 2,7 km hekurudhë në pjesën e Shqipërisë dhe një pjesë rrugore në Maqedoni, të jepen propozime për pika të reja kufitare me Kosovën dhe Shqipërinë dhe shumë propozime tjera.
Ministri për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor z. Abdylaqim Ademi, tha se një pjesë e kësaj platforme është veç më e realizuar, kurse sipas tij pjesa tjetër duhet të strukturohet më mirë dhe e njëjta do të përfshihet edhe në programin e tyre politik, sepse gjithçka duhet të jetë e harmonizuar edhe me planin hapsinor. Ai prezantoi edhe punimet rreth Korridorit 8, hidrocentralit të Çebrenit, si dhe rreth sistemit Raven – Reçicë që ujrat e Malit Sharr t’i kthehen Pollogut, dhe se këtë vit fillon ndërtimi i një pjese të këtij sistemi.
Drejtori i Albsig, z. Hashim Rexhepi, duke prezantuar sektorin e biznesit dhe si anëtarë i OEMVP-së, tha se ato si biznese kanë nevojë për mbështetje në zhvillimin e bizneseve të vogla private, si dhe ndihmë në qasje në financa, duke kërkuar mundësimin e qasjes më të lehtë në këto fonde me anë të ndihmës në përgatitjen e biznes planeve, projekteve të ndryshme e tjera, meqë ato vetë nuk kanë kapacitet.
Nga komuna e Tetovës, duke përfaqësuar sektorin e arsimit të kësaj komune, z. Ahmed Qazimi tha se ekziston një moskoordinim mes biznesit dhe sektorit të arsimit, dhe këtë e shohim nga kuadrot e diplomuara, sepse janë të kundërta me kërkesat e biznes sektorit. Sipas tij, fluksi më i madh i të rinjve është në drejtimin ekonomik dhe juridik, duke anashkaluar dhe nënvlerësuar drejtimet profesionale, si dhe mungesën e angazhimit dhe mundësisë së punës praktike për zgjerimin e njohurive.
Në fund ishte planifikuar edhe kohë për debat dhe koktel për mysafirët.
Comments are closed.