“OEMVP dhe Koalicioni Vlen nënshkruajnë Platformën e OEMVP për Zhvillim Ekonomik të RMV”

02.04.2024, Shkup- Në vazhdën e takimeve me partitë politike, në hapësirat e OEMVP u realizua takim i dytë me radhë, ku kryetari z. Mendi Qyra bashkë me udhëheqësinë  e Odës i mirëpriti përfaqësuesit nga koalicioni Vlen, z. Bilall Kasami, z. Izet Mexhiti, z. Afrim Gashi dhe  znj. Bujare Abazi.

Gjatë takimit u diskutua për disa probleme kyçe me të cilat përballet ekonomia e vendit tonë, si dhe marrja e masave për përmirësimin e pengesave të cilat ndalojnë mirëqenien ekonomike të vendit.

Kryetari Qyra potencoi rëndësinë e një fuqie punëtore stabile dhe të kualifikuar për nevojat e tregut të punës, për të cilën duhet marrë masa për parandalimin e migrimit të të rinjve. Me rritjen e pagës minimale neto në sektorin privat në 30,000 denarë, uljen e kontributeve në 32% nga paga neto, liberalizim të fuqisë punëtore në rajon, si dhe reforma në sistemin arsimor duke i veçuar profesionet dhe veprimtaritë deficitare, do të mundësojnë krijimin e kushteve optimale për punëtorët në vend dhe rritja e standardit jetësor të qytetarëve të RMV.

Koalicioni Vlen theksoi që shumica e pikave të Platformës së OEMVP janë të kyçura edhe në platformën e koalicionit, dhe se do të zbatohen denjësisht në qoftë se do jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Ajo çfarë është me rëndësi për sektorin e biznesit është se koalicioni në fjalë ka integruar dhe ka pranuar kërkesën e kahmotshme të OEMVP  për ulje të kontributeve me çka do të ndihmohen qytetarët por edhe bizneset në veçanti.

Gjithashtu, nga përfaqësuesit e Koalicionit u prezantuan edhe pika shtesë nga Platforma e tyre, duke përfshirë sektorin energjetik, decentralizim fiskal të komunave, rritja e rrogës minimale, si dhe zonat e lira ekonomike, ndërsa anëtarët e OEMVP theks të veçantë vendosën edhe mbi Ligjin për legalizim, sjelljen e planeve urbanistike dhe funksionimin e institucioneve.

Mes tjerash, drejtori ekzekutiv i OEMVP z. Durim Zeqiri diskutoi edhe mbi funksionimin e platformës për Dialog Publiko-Privat, duke potencuar që kjo platformë nuk duhet të ndërpritet pasiqë është mundësi adekuate në të cilën Odat ekonomike mund të parashtrojnë kërkesat e tyre direkte drejtuar Qeverisë, si dhe të shfaqin ekspertizën e tyre sa i përket udhëheqjes së mirëfilltë për rritje dhe zhvillim ekonomik të vendit. Poashtu, ai përmendi edhe rastin e vërshimeve në Hasanbeg, ku nga ky fenomen natyror janë dëmtuar shumë biznese, ndërkaq premtimi i Qeverisë që të ju ndihmojë bizneseve të dëmtuara nuk është realizuar ende.

Koalicioni VLEN nënshkroi Platformën për zhvillim ekonomik të RMV dhe të njëjtit u shprehën se nëse bëhen pjesë e Qeverisë së ardhshme, do të integrojnë kërkesat e OEMVP në programin Qeveritar dhe gjithashtu në mënyrë adekuate do të angazhohen për zbatimin e tyre gjatë periudhës 2024-2027.