09 Nëntor 2016 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me komunat e rajonit të Pollogut dhe sipërmarrësit që operojnë në këtë rajon, duke qenë në dijeni për vështirësitë me të cilat ballafaqohen kompanitë sa i përket procedurave të ekportit dhe importit të mallrave, ka marrë një iniciativë të përbashkët me kryetarët e komunave për analizë të gjendjes faktike dhe potencialit të mundshëm të lëvizjeve të mallrave nëse do të kishte terminal doganor në vendkalimin kufitar në Jazhincë.
Lidhur me këtë, sot u prezantua rruga rajonale fsh.Neproshten – Zona e lirë ekonomike (si mundësi e partneritetit publiko-privat) si dhe u diskutua mbi mundësitë dhe nevojën për hapjen e terminalit doganor në vendkalimin kufitar në fsh.Jazhincë, me ç’rast u bë edhe nënshkrimi i kërkesës për të njëjtën bashkë me komunat e rajonit të Pollogut.
Në takimin sot fjalë përshëndetëse kishin edhe Ministri i vetëqeverisjes lokale Shyrete Elezi, e cila përkrahi iniciativën e OEMVP-së dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Ylber Hysa.
Vetëm në rajonin e Pollogut zyrtarisht janë të regjistruara rreth 11.000 subjekte juridike, të cilat drejtpërsëdrejti ose tërthorazi janë të prekura nga mungesa e këtij terminali. Sa për ilustrim, pjesëmarrja e kompanive të Pollogut në PBB-në është rreth 6.3% ose nga 1567 kompani të analizuara nga ky rajon kanë një qarkullim vjetor prej mbi 550 milionë euro dhe punësojnë më shumë se 11,500 njerëz.
“Për shumicën e kompanive nga ky rajon, sipas statistikave Kosova është një nga destinacionet më të rëndësishme të eksportit, prandaj sot u nënshkrua bashkërisht kërkesa deri tek institucionet përkatëse dhe mendojmë se është më se e rëndësishme që problemet reale me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit në qarkullimin e mallrave të trajtohen në mënyrë prioritare.” – tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha












