14.01.2026, Shkup – Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, u zhvillua takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, z. Timço Mucunski, i cili u mirëprit nga U.D. Kryetari i OEMVP, z. Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zekiri, Nënkryetari, z. Jeton Asani, Kryetari i Kuvendit, z. Nazmi Ejupi dhe Kryetari i Nderit, z. Xhemail Dauti.
Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dhe promovimi i iniciativave të përbashkëta për zhvillimin ekonomik, si dhe identifikimin e mundësive për promovimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare.
Duke biseduar rreth sfidave dhe mundësive ekonomike, U.D. Kryetari, Nuhi Aliu, theksoi rëndësinë e shkëmbimit tregtar dhe fuqizimit të bizneseve si një mënyrë për të kontribuar në ekonominë e shtetit. Ai theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm, veçanërisht tani që Ministria ka kompetenca edhe në fushën e tregtisë së jashtme.
Ministri, z. Mucunski u shpreh se fokusi duhet të jetë te intensifikimi i bashkëpunimit përmes organizimit të vizitave tregtare tematike dhe sigurimit të mbështetjes logjistike gjatë vizitave të rëndësishme të bizneseve në vend. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e promovimit të kapaciteteve eksportuese të kompanive vendore para korit diplomatik dhe përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me përfaqësitë diplomatiko-konzullore në vendet e huaja. Ministri nënvizoi se mbështetja sistematike e kompanive me potencial eksportues ndihmon drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së shtuar në ekonomi dhe krijon kushte për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Po ashtu, Drejtori Ekzekutiv, z. Zekiri, potencoi sektorin e transportit si një nga sektorët kyç të vendit dhe nënvizoi nevojën për të stimuluar aktivitetin e këtij sektori, duke eliminuar pengesat eventuale dhe duke krijuar kushte më të favorshme për bizneset. Ai gjithashtu potencoi rëndësinë e komunikimit të rregullt me përfaqësitë konsullore dhe përqendrimin e tyre në diplomacinë ekonomike.
Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit Nazmi Ejupi foli për nevojën e mbështetjes së prodhuesve lokalë, duke siguruar lehtësime që të rritet prodhimi dhe të zhvillohen më tej ndërmarrjet vendore.
Kryetari i Nderit Xhemail Dauti nënvizoi rëndësinë e nxitjes së eksportit dhe hapjes së mundësive të reja për bizneset vendore në tregjet ndërkombëtare.
Takimi theksoi rëndësinë e mbështetjes së kompanive me potencial eksportues dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për të krijuar mundësi reale për rritje dhe zhvillim.






