25.12.2025, Shkup – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore organizoi Mbrëmjen e Fundvitit, e cila shërbeu si moment reflektimi mbi arritjet, sfidat dhe iniciativat e ndërmarra gjatë vitit 2025. Aktiviteti mblodhi së bashku anëtarët, partnerët dhe mbështetësit e Odës, duke shënuar një përmbyllje të suksesshme të vitit dhe hapjen e perspektivave të reja për vitin që vjen.
Në mesin e të pranishmëve ishin zëvendëskryeministri i parë, z. Bekim Sali dhe Ministri i Ekonomisë dhe Punës, z. Besar Durmishi, të cilët me praninë e tyre vlerësuan rolin dhe kontributin që OEMVP jep për zhvillimin ekonomik dhe përfaqësimin e biznesit vendor.
U.d. Kryetari i OEMVP, z.Nuhi Aliu shprehu mirënjohje për përkushtimin dhe besimin e anëtarëve, duke theksuar se rezultatet e vitit 2025 janë fryt i bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe i dialogut të hapur me bizneset. Ai u uroi suksese të mëtejme dhe arritje të reja në vitin që vjen.
Mbrëmja e fundvitit shënoi përfundimin e një viti të suksesshëm duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me bizneset dhe institucionet. Me vizion të qartë për vitin 2026, OEMVP mbetet e fokusuar në mbështetjen dhe fuqizimin e sektorit privat.






