Drejtori Ekzekutiv i OEMVP, z. Durim Zekiri, mori pjesë në panelin e diskutimit të organizuar në kuadër të projektit “BE për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, i financuar nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rastin e prezantimit të Strategjisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2025–2030.
Paneli mblodhi përfaqësues të odave ekonomike, institucioneve financiare, akademisë, INOVA, organizatave për mbështetjen e NVM-ve, si dhe afaristë nga sektori i NVM-ve. Diskutimet u fokusuan në zbatimin praktik të aktiviteteve të parapara në planin aksionar, adresimin e sfidave kryesore si qasja në financa dhe digjitalizimi, tranzicioni i gjelbër, si dhe rezultatet e pritshme nga zbatimi i strategjisë.
Në ngjarje ishte i pranishëm edhe Ministri i Ekonomisë dhe Punës, z. Besar Durmishi i cili foli për prioritetet strategjike të NVM, ndërsa Ambasadori i EU, Shkëlqesia e tij z. Mihalis Rokas foli për rolin e EU-së në zhvillimin e NVM.
Gjatë diskutimit, z. Zekiri theksoi se: “Tranzicioni i gjelbër aktualisht perceptohet më shumë si kosto sesa si mundësi, sepse ekonomia jonë ka kapacitete të ulëta inovative dhe financiare për ta shndërruar atë në avantazh konkurrues”
Po ashtu, shtoi se “Mungesa e investimeve në energji të rinovueshme dhe teknologji të gjelbra në nivel prej vetëm 0.4% e GDP-së e bën tranzicionin të vështirë për bizneset, sepse kërkesat rriten më shpejt se mbështetja financiare. Maqedonia e Veriut ka të regjistruara 0 patenta të gjelbra”
Në fund, z. Zekiri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se vetëm përmes një qasjeje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse Strategjia për NVM-të 2025–2030 mund të japë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik të vendit.






